Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 13.303 qytetarë, 9.123 prej të cilëve kanë pranuar dozën e parë, ndërkaq numri i personave të vaksinuar në vendin tonë shkon në 695.525 persona, transmeton Alsat. Sipas statistikave të Ministrisë, në vend gjithsej janë aplikuar 1.207.515 doza të vaksinave, ndërkaq janë rivaksinuar 511.989 qytetarë.
“Vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe janë mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë. Vetëm vaksinimi i plotë parandalon format e rënda të sëmundjes, zvogëlon mundësitë për infektim”, shtojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndryshe, sot Ministria e Shëndetësisë njoftoi se procesi i vaksinimit do të zhvillohet edhe në sallën “Boris Trajkovski” (Arena A1), respektivisht në të ashtuquajturën salla e vogël, transmeton Alsat, ku qytetarët do të mund të imunizohen kundër Covid-19 pa caktuar termin.