Analiza dyjavore e Ministrisë së Shëndetësisë tregon se vetëm 15 % e të infektuarve nga koronavirusi kanë qenë të vaksinuar me dy doza vaksine. Në periudhën nga 06.08 deri më 19.08.2021 në territorin e shtetit 9 881 qytetarë janë infektuar nga koronaviorusi. Prej rreth 10 mijë të infektuarve 1 507 kanë qenë të vaksinuar.
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
Sipas statistikave dy javore, 8 374 qytetarë të infektuar nga Covid 19 nuk ishin të vaksinuar. Përqindja e personave të shtruar në spital që nuk janë të vaksinuar është 91%, ndërsa vetëm 9% e të gjithë 724 pacientëve të shtruar aktualisht janë plotësisht të vaksinuar.
Analiza tregon se vdekshmëria tek të pavaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë. Në periudhën dy javore nga koronavirusi vdiqën 101 persona, prej të cilëve 92 ishin të pavaksinuar, ndërsa 9 ose 8 % e të vdekurve kishin marrë dy doza vaksine. Ministria e Shëndetësisë sqaroi se të infektuarit dhe të vdekurit kanë qenë të vaksinuar me vaksinat që kemi në dispozicion, si dhe vaksinat Moderna dhe Johnson & Johnson, të cilat disa nga pacientët i morën jashtë vendit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë çdo vaksinë që kemi në dispozicion është e sigurt, zvogëlon mundësinë e sëmundjes, parandalon sëmundjet e rënda dhe mbron nga vdekja.
Në shtatë ditët e kaluara, Maqedonia e Veriut është renditur e gjashta në Evropë për sa i përket numrit të rasteve të reja me Covid-19 për 100.000 banorë.
Gjeorgjia është në vendin e parë, Kosova në vendin e dytë, ndërsa Mali i Zi në vendin e tretë në Evropë. Nga rajoni, Serbia është e 23-ta dhe Kroacia e 41-ta nga gjithsej 52 vende evropiane.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thanë se vaksinimi i plotë është masë kryesore për të parandaluar përhapjen e COVID-19, përfshirë dhe sëmundjet e shkaktuara nga varianti delta i coronavirusit.