Marrëveshja e Ohrit e arritur para njëzet vjetësh, e pengoi ndarjen e Maqedonisë së Veriut në vitin 2001. Ajo u mundësoi më shumë të drejta shqiptarëve të kësaj republike, ndërsa njohësit e rrethanave politike në Shkup thonë se marrëveshja duhet vazhdimisht të mbindërtohet dhe të ruhet e respektohet fryma e saj paqësore dhe gjithpërfshirëse, raporton Zëri i Amerikës, përcjell KDP.
Pothuaj se të gjithë në Maqedoninë e Veriut pajtohen se Marrëveshja e Ohrit në pjesën normative është e përmbyllur por se hasen probleme të shpeshta në zbatimin e saj në praktikë.
Analisti Xhelal Neziri vlerëson se çështja e sasisë së zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit (MO) mund të jetë subjektive për shkak se nuk mund të matet niveli i zbatimit të saj me ligje të sjellura dhe ndryshime në kushtetutë.
“Marrëveshja e Ohrit është një dokument që kërkon kultivim dhe një rikthim të shpeshtë të të gjithë faktorëve politikë, pasi mbi këtë dokument është ngritur paqja dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut. Ne mund t’i miratojmë të gjitha ligjet që burpjnë nga kjo marrëveshje; mund edhe ta ndryshojmë Kushtetutën konform poërmbajtjes së kësaj marrëveshjeje, mirëpo, nëse kjo marrëveshje nuk arrin që të gjejë një shtrirje, një pranim të madh, të gjerë publik të i nstitucioneve e qytetarëve, atëherë mendoj se është vështirë të thuhet se ajo mund edhe të zbatohet”, thotë analisti.
Zëvendës-kryeministri Artan Grubi thotë se po të mos ishte Ohri, nuk do të kishte as Marrëveshje të Prespës dhe as NATO për Maqedoninë e Veriut. Ai thekson nga ana tjetër se gjithmonë ka hapësirë për të bërë më tepër, si në përfaqësimin e drejtë dhe të përshtatshëm, si në zhvillimin e barabartë rajonal dhe në fusha të tjera.
”Unë gjithmonë them se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është i përditshëm dhe i përjetshëm. Nuk mund të përfundojë asnjëherë për arsye se bëhet fjalë për zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve , të cilin e kemi obligim të gjithë ne si qytetarë dhe si institucione”, thotë zoti Grubi
“Mirëpo MO nënkupton edhe frymën, edhe koncensusin, debatin e përhershëm, nënkupton marrëveshje dhe dialog ndëretnik; vizion të përbashkët të të gjitha etnike këtu në RMV; Pra nuk është MO vetëm sjellje e ligjeve dhe ndryshim i Kushtetutës, akteve normative, etj. por është një frymë që duhet të bartet gjeneratë pas gjenerate me qëllim që të mos na përsëritet 2001-shi”, shon zoti Neziri.
Analisti Xhelal Neziri thotë se Marrëveshja e Ohrit nuk është përjashtuese por përfshirëse për komunitetet e vogla dhe çdokush që përpiqet ta zhvlerësojë këtë dokument godet paqen e arritur dhe qëndrueshmërinë në Maqedoninë e Veriut.
“Marrëveshja kornizë e Ohrit solli një frymë të re në politikbërje; politika që ndërtojnë ura dhe që nuk i shembin ato, dhe politika që i bashkojnë qytetarët dhe nuk i ndajnë në rrugën e përbashkët euro-atlantike”, tha Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në një ceremoni me rastin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Diplomatë dhe zyrtarë perëndimorë të cilët folën në këtë takim janë të pajtimit se nuk ekziston një marrëveshje e përkryer, por se Marrëveshja e Ohrit, siç tha ambasadorja amerikane në Shkup Kate Mary Byrnes, ndihmoi në kapërcimin e mosmarrëveshjejeve të së kaluarës dhe e çoi vendin në Aleancën e NATO-s dhe para dyerve të BE-së.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, përmes një videomesazhi theksoi se “Marrëveshja e Ohrit luajti një rol jetik në ndërtimin e Maqedonisë së Veriut në një demokraci shumëetnike dhe në parandalimin e një konflikti më të madh”.
Ndërkohë, opozita maqedonase dhe ajo shqiptare akuzojnë pushtetin se përdori këtë përvjetor dhe qindra mijë eurot e shpenzuara për ceremonitë lidhur me të për qëllime dhe interesa të partive në pushtet para zgjedhjeve të pritshme të tetorit.