Talebanët mësynë këtë të diele Kabulin, kryeqytetin e Afganistanit, kështu njoftoi një zyrtar i ministrisë së brendshme, ndërsa SHBA-të evakuuan diplomatët nga ambasada e tyre me helikopter. Zyrtari i lartë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se talebanët po vinin “nga të gjitha anët”. Nga ana tjetër talebanët thanë se ata i kishin urdhëruar ushtarët e tyre që të qëndronin në portat e Kabulit dhe të mos hynin në qytet , derisa procesi i evakuimit të mbaronte. Kabuli është qyteti i fundit i madh që ende është nën kontrollin e forcave qeveritare. Talebanët tashmë kanë pushtuar edhe Mazar-i-Sharif, po ashtu edhe qytetin e dytë më të madh Kandahar dhe qytetin e tretë më të madh Herat brenda 48 orëve të fundit. Ndërkohë presidenti Joe Biden tha se ai autorizoi vendosjen e trupave shtesë amerikane për të siguruar evakuimin e sigurt të personelit amerikan dhe personelit tjetër aleat si dhe të gjithë të afganëve që i ndihmuan ata.
Nga Ministria e Jashtme në Shkup njoftuan se në Afganistan ka rreth 110 shtetas të Maqedonisë dhe se të gjithë janë në lokacione të sigurta. Nga dikasteri i Osmanit thonë se familjarë të tyre kanë shfaqur interes për gjendjen në Afganistan, por nuk është kërkuar ndihmë për tërheqjen e tyre. Thonë se disa prej vendeve mike kanë shprehur gatishmëri që në rast të fluturimeve të organizuara të evakuimit të jenë në dispozicion edhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Rreth 100 qytetarë tanë janë identifikuar se janë të pranishëm në Afganistan dhe tani për tani të gjithë gjinden në lokacione të sigurta. Sipas informacioneve të fundit që i morëm nga kompanitë që i angazhojnë të punësuarit, ata nuk përballen me vështirësi dhe kanë të rezervuar fluturim për evakuim të punëtorëve të tyre, kurse një pjesë e tyre janë të transferuar në disa prej vendeve fqinje dhe transferi i tyre për në shtëpi nuk është i diskutueshëm”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Përderisa vendit tonë nuk i është kërkuar që t’i strehojë emigrantët politik afganë, Shqipëria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-ve. Kryeministri shqiptar Edi Rama konfirmoi se ditët e fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar nga Shqipëria që të shërbejë si vend transit për emigrantët politikë afganë.
Pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria. Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me zakon, e as me moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje”, shkroi Rama në rrjetin social Facebook.
Nga Qeveria e Kosovës bënë të ditur se që nga mesi i korrikut, janë në komunikim dhe bashkëpunim me autoritetet amerikane, sa i përket mundësisë së strehimit të afganëve, që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara. Shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi i ka thënë Evropës së Lirë se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.
Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit të Kosovës.
Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre. Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA. Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.