Turqi, pas zjarreve, vendi përballet me përmbytje dhe viktima

Zjarret që përfshinë Turqinë Jugperëndimore u vunë nën kontroll pas dy javëve, ndërkohë që vendi tani po përballet me përmbytje në bregdetin e Detit të Zi.

”Pesë persona humbën jetën dhe një person u zhduk pasi përmbytjet e mëdha goditën të paktën tre qytete përgjatë Detit të Zi”, tha autoriteti përgjegjës turk, AFAD.

”Më shumë se 600 njerëz u evakuuan në Bartin, Kastamonu dhe Sinop”, shtoi AFAD, pasi u përmbytën nga shiu.

Meteorologët kanë parashikuar se stuhitë do të dobësohen.

”Situata e zjarrit po lehtësohet edhe në anën tjetër të vendit, me vetëm një zjarr në një zonë rurale të provincës Burdur ende duke u djegur”, tha ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli.

”Të paktën 21 shtëpi u dëmtuan ndërsa 200 njerëz u evakuuan nga shtatë lagje jashtë qendrës së qytetit Burdur”, u tha Pakdemirli gazetarëve.

”Gjashtë aeroplanë, 11 helikopterë dhe më shumë se 100 kamionë zjarrfikës bashkuan përpjekjet në një zonë që mbulon 300 hektarë”, shtoi ministri.

Turqia ka luftuar të paktën 275 zjarre në 53 provinca që nga 28 korriku, duke prekur më shumë se gjysmën e vendit, katastrofa e saj më e keqe e tillë në histori.