Zjarret në Maqedoninë e Veriut, një person ka humbur jetën, arrestohen 4 persona

Pas shpalljes gjendje krize në tërë territorin e vendit, drejtori i Qendrës së Menaxhimit me Kriza Stojançe Angellov e ka mbledhur Shtabin e përgjithshëm për menaxhim me kriza. Këtë e bëri të ditur vetë Angellov, i cili tha se në seancë duhet të miratohet Plan aksional për përballje me numrin e zmadhuar të zjarreve.

Qeveria paraprakisht i kërkoi Shtabit kryesor pranë Qendrës për menaxhim me kriza që menjëherë të filloj me përgatitjen e planit të veprimit për parandalimin dhe ballafaqimin me zjarret, si dhe rishikimin e tërësishëm të burimeve njerëzore dhe materialo-teknike në dispozicion dhe planin për veprim të koordinuar. Gjithashtu kërkoi që Ministria e Punëve të Brendshme, Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qendra për menaxhim me kriza, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim dhe Ministria e Shëndetësisë me të gjitha institucionet shtetërore të interesuara si dhe njësit e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, t’i vendosin në dispozicion të gjitha kapacitet dhe resurset e disponueshme të cilat mund të vendosen në funksion për menaxhim me gjendjen e krizës.Qeveria ngarkoi Shtabin kryesor pran QMK-së, që të përcaktoj një person për marrëdhënie me publikun, i cili në bazë ditore do të njoftoj opinionin në lidhje me parandalimin dhe ballafaqimin me zjarret në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përndryshe, zjarret që kanë shpërthyer në shumë lokacione mbarë vendit, ka marrë edhe viktimën e parë. Ekipet e shërbimeve të zjarrfikësve kishin gjetur trupin e pajetë të një 59 vjeçareje.

Policia një ditë më parë arrestoi katër persona pasi dyshohet se ata qëllimisht kanë shkaktuar disa vatra zjarri. Njëri nga të arrestuarit është shtetas i Shqipërisë dhe ka qëndruar në vend në mënyrë ilegale. MPB apelon që në mënyrë rigoroze të respektohet ndalesa për lëvizje në pyje, ndërsa qytetarët maksimalisht t’u shmangen ndezjes së zjarreve . MPB ka përkujtuar se shkaktimi i zjarreve, qëllimshëm ose jo, paraqet vepër penale e cila sanksionohet me burg deri në 8 vjet.

Qendra për Menaxhimin e Krizave ka bërë me dije se zjarre aktive ka në rajonet e Manastirit, Strumicës, Kumanovës dhe Shtipit.