Në moshën 82 vjeçare erdhi për të marrë vaksinën e vetme në jetën e tij. Skenderi tha se asnjëherë nuk ka marr injeksion as terapi barnash, madje edhe shiringën me dozën anti kovid nuk e kishte aq për qejfi.
Kurrë as tableta e as injeksione nuk kam marr, 80 e kusur vjet i kam bërë se në letërnjoftim më vonë më kanë shkruar moshën i lindur jam në vitin 1939. Po më thanë patjetër me marrë vaksinën, nuk e di!” A mendon se ka me t’ndihmu kjo? Mua, asnjëherë, për Zotin kurrë jo – tha Skender Suljemani, Qytetar.
Ekipet mobile të vaksinimit ishin të pozicionuara edhe në fshatin Llopat të Kumanovës. Çdo ditë lëvizin nga një zonë rurale dhe periferike. Nga ajo që pamë në terren interesimi është i shtuar. Ata bëjnë thirrje që të gjithë të vaksinohen për të arritur sa më herët imunitet kolektiv.
“Pata bërë termin, por tash është më mirë pa termin, të gjithë po vaksinohen dhe patjetër edhe na. Krejt në shtëpinë time janë vaksinuar, djali, nusja, por edhe gruaja ime.”
“Posa e mora vaksinën, jo të gjithë në shtëpi e kemi marr por do ta bëjmë së shpejti. Momentalisht turma kishte te pika e vaksinimit në qytet. Shumë më mirë është edhe për fshatarët e të moshuarit se atje poshtu po duhet të pritet shumë rend. Ajo motra më tregoj se do të vijnë te shkolla dhe erdhëm”.
Nga personeli mjekësor thanë se në rajonin e Kumanovës ka 6 ekipe mobile të vaksinimit. Koordinatori i këtyre ekipeve Valdrin Miftari tha se në terren po jepen vaksinat SinoVac dhe AstraZeneca, ndërkaq terminët janë të hapura për fëmijët nga 12 deri në 16 vjeç, të cilët vaksinohen me Fajzer.
Deri tash vaksinimi në terren po rrjedh sipas dinamikës dhe plan programit të paraparë. Gjithashtu vaksinimi dhe procesi i rivaksinimit është duke u zhvilluar te salla ekonomike e sporteve ‘Pero Nakov’ në Kumanovë. Deri më tani dalja është e kënaqshme e qytetarëve dhe janë përgjigjur pozitivisht ftesës për vaksinim në terren. Qëllimi i këtij procesi është që ne si Shtëpi e shëndetit të jemi më afër qytetarëve – deklaroi Valdrin Miftari, Personel Mjekësor.
Sipas Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, që në ditën e parë janë regjistruar 283 aplikime të vaksinave nga ekipet mobile, 190 doza janë dhënë pa termin në ditën e dytë dhe numër i ngjashëm në ditët në vijim. Ata bëjnë thirrje qytetarët e pa vaksinuar të shfrytëzojnë këtë mundësi të marrin vaksinat që u kalojnë nga pragu i derës. Nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka shifra të përgjithshëm se sa qytetarë janë vaksinuar nga terreni gjatë javës së parë të vaksinimit pa termin.