
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Kate Marie Byrnes në profilin e saj zyrtar në twitter ka shkruar se Korridori 8 është prioritet për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe si i tillë duhet parë edhe nga shtetet e rajonit.
Ky shkrim i ambasadores amerikane erdhi menjëherë pas votimit në Kuvend të Ligjit për ndërtimin e Korridorit 8 nga kompania amerikane Bechtel Enka e përmes të cilit ligj rregullohen detajet që kanë të bëjnë me planifikimin, projektimin dhe ndërtimin e Korridorit 8, Tetovë – Gostivar – Bukojqan – Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë por edhe planifikimin, projektimin dhe ndërtimin e Korridorit 10 e autostradën Prilep – Manastir, projekte këto me interes kombëtar.

Kujtojmë se edhe gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit për mirëkuptim mes Qeverisë së RMV-së dhe kompanisë Bechtel Enka për Korridorin 8 dhe 10D, ambasadorja Byrnes ishte e pranishme bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, ministrin për Transport dhe lidhje Blagoj Boçvarski dhe drejtorin e Ndërmarrjes për Rrugë shtetërore, Ejup Rustemi.
Me këtë rast zëvendëskryeministri i parë Grubi kishte deklaruar se me ndërtimin e Korridorit 8, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Qafë Thana e deri në Bllacë me Republikën e Kosovës apo edhe me kufijtë tjerë do të mund të lëvizin nëpër një autostradë moderne, kurse njëherësh do të dëshmohet se e ardhmja ekonomike që ofron Korridori 8 si një pejzash i ri që po shfaqet në Ballkan, do të dëshmojë se historia më e re e Evropës Juglindore do të kalojë përmes Shkupit.