Kontradikta
- Shqipëri
Dy ngjarjet e rënda në Shqipëri, ku jetën e kanë humbur burra, gra dhe fëmijë, na kanë rrëzuar përtokë. Janë pasoja. Shkaku është shteti jo funksional. Vrasësit dhe mafiozët shetisin të lirë dhe për pasojë kemi humbje njerëzish, kryesisht familjarë.
Po pse rrëmbehen të rinjtë, me makinat “e tyre” të shtrenjta?! Pse nuk e shijojnë siç duhet pasurinë që ua kanë siguruar “prindërit”?!
Po pse të rrëmbehen afaristët… Pse nuk e shijojnë pasurinë që kanë, përse i kanë sytë nga livadhi i fqinjëve?!
Deri kur do të mbesim armiq të vetvetes?! - Maqedonia e Veriut
Thonë se situata me pandeminë po zbutet. Njerëzia po del nga izolimi i gjatë. U dha lejë edhe për organizimin e dasmave. Bukur shumë. Por a duhet të harxhojmë shuma marramendëse për të organizuar një gëzim familjar?! A nuk bëhet qejfi njëlloj edhe kur nuk i hedhim lekët kot së koti?! Po pse mo, në një ambient të bukur hoteli u dashka të hedhim edhe nja 10 mijë euro për zbukurimin e ambientit?! Po pse ore mërgimtar, pse, në rrugë i ke gjetur lekët që të paguash 10 mijë euro për një këngëtar VIP, duke pasur orkestrën dhe këngëtarët e zonës që ta bëjnë qejfin tamam, sipas traditës vendëse, për 1/5 e asaj shume?!
Çmimi që duhet të paguajmë për paratë, që shkojnë kot, duke u keqpërdorur, ndonjëherë është liria. (fj.u.) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Keni dëgjuar për shtetin e Teksasit (SHBA)? Dikur ne kishim një shprehje, për të keq, “si në Teksas”, dmth. rrëmujë e rrokopujë… Sot nuk është kështu… Ky shtet po lulëzon gjithandej. Kryeqyteti i tij është Austin (lexo Ostin), qytet me rreth 1 milion banorë. Austin zhvillimin e tij në një qytet të madh dhe të përparuar e filloi pas viteve ’80 dhe sot ka arritur të bëhet një qendër për teknologji dhe biznes. Austin është qendër e shumë kompanive dhe korporatave të mëdha. Në qytet ka shumë afarist të suksesshëm dhe të pasur. E dini se si i harxhojnë paratë këta? Duke i arsimuar dhe punësuar të rinjtë, duke krijuar kushte dhe infrastukturë moderne, duke menduar dhe projektuar plane për një të ardhme akoma më të mirë. Një i afërm, mërgimtar, që është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (për të pushuar disa javë në vendlindje) më tha: “Djali përfundoi mësimet në shkollën e mesme, është maturant. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Kërkoi bursë për studime, drejtimi biznes. I pari Universitet që e pranoi kërkesën, pa hamendje, ishte Universiteti i Teksasit, në Austin. Djalit i sigurohet gjithçka deri në përfundimin e studimeve dhe në fund punësim të sigurt, në kompanitë e shumta të qytetit, me paga shumë të mira. Universiteti, disa ditë më parë na njoftoi se shumën e të hollave, jo vetëm për djalin tonë, por edhe për disa studentë të tjerë e kishte siguruar një sipërmarrës nga qyteti Austin.”
Ja kështu i harxhojnë lekët njerëzit me mend në kokë, sipërmarrësit dhe pasanikët, duke investuar tek ardhmëria.
Le të mos e shajmë Bashkimin Evropian, pse na i ka mbyllur dyert!
Qeveritë të punojnë dhe mendojnë më shumë për qytetarët, për ardhmërinë, mbrojtjen dhe sigurinë e tyre.
Ne qytetarët, ndërkaq, le të ndërgjegjësohemi! Më larg luksit të shfrenuar! Më shumë vëmendje për edukimin e brezit të ri!
Xhemi Hajredini
Strugë, 29 qershor 2021