COVID-19, vazhdon përmirësimi i gjendjes epidemiologjike në vend

Për 33.8% është ulur numri i të infektuarve nga Kovid 19. Raporti javor i Institutit të Shëndetit Publik tregon se brenda javës së shkuar janë regjistruar 3,443 raste pozitive në 33 qytete të vendit. Rënie ka shënuar edhe numri i testeve për 16,5%. Ministri i Shëndetësisë pret që gjendja të shkojë drejt përmirësimit të mëtejmë.

  Nuk presim rritje tjetër të numrit të rasteve positive megjithëse këtë e them me rezervë sepse mund të komplikohet pasqyra epidemiologjike dhe të ketë ndryshim të masave. Tani për tani trendet janë në drejtim të uljes së numrit. Bien numrat e të infektuarve, sot kemi nën 500 raste sikurse dje- deklaroi Venko Filipçe, Ministër I Shëndetësisë.

Filipçe deklaroi se qytetarët duhet të jenë vetë të kujdesshëm dhe të respektojnë protokollet që gjendja të mbahen nën kontroll dhe të shkoj drejt normalizimit të plotë.

Qytetarët duhet ta dinë se kanë përgjegjësi të madhe individuale. Nuk mundemi ne të imponojmë masa dhe shteti të jetë ai që duhet të tregojë se çka të bëni. Ka protokolle për gjithçka. Nëse i respektojmë, gjithë jeta do shkojë simbas protokolleve dhe nuk do kemi problem me situatën epidemiologjike- pohoi Venko Filipçe, Ministër I Shëndetësisë.

Ndërkohë vazhdon imunizimi nëpër shtëpitë e shëndetit dhe në A1 arenën në Shkup. Deri më sot janë vaksinuar rreth 56 mijë qytetarë ndërkaq mbi 207 mijë të tjerë janë paraqitur për tu vaksinuar. Të premten në mëngjes pritet të arrijnë 200 mijë vaksinat kineze me çka parashihet edhe rritja e qytetarëve të imunizuar në bazë ditore./Alsat