Kuvend, filloi seanca për interpelancën e Oliver Spasovskit

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot filloi seanca e 39 në rend dite të së cilës është interpelanca për ministrin e brendshëm Oliver Spasovski, të parashtruar nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa, mbështetur edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.

Në listën e deputetëve të paraqitur për fjalë mungojnë deputetët e LSDM-së dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Jovan Mitrevski, njoftoi se deputetët e LSDM-së nuk do të paraqiten për fjalë sepse interpelanca është e pabazë dhe atë për shkak se Sasho Mijallkov tanimë është akuzuar dhe dënuar për disa lëndë, për të cilat edhe është ngritur interpelanca.

Nga ana tjetër, Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE akuzoi kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi se nuk e ka pranuar listën e deputetëve të VMRO-së të paraqitur për fjalë. Shkak për këtë mësohet se është vonesa prej dy orëve, gjegjësisht lista e deputetëve të VMRO-DPMNE-së nuk është dorëzuar në ora 11:00 por në ora 13:00 dhe se koordinatori i kësaj partie nuk ka marr pjesë në koordinimin e sotëm të kreut të Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare.

Nga VMRO-DPMNE-ja paralajmërojnë se për çdo shkelje e rregullores së punës së Kuvendit nga ana e Talat Xhaferit, ata do të dalin para foltores së kuvendit.