Salla sportive “Burimet e Biljanës ” në Ohër po shndërrohet në qendër rajonale për vaksinimin masiv. Megjithëse gjithçka është gati vaksinimi pritet të ndodhë pas festave të 1 majit dhe Pashkëve. Përveç qytetarëve të Ohrit, do të vaksinohen edhe ata të Strugës, Vevçanit, Kërçovës, Dibrës dhe Resnjës.
Vlerësohet se do të ketë rreth 1500 vaksina gjatë ditës. Janë siguruar 50 infermiere dhe 10 mjekë, të cilët do të marrin pjesë në vaksinimin e qytetarëve – deklaroi Ajsel Zejnoska, drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore Ohër.
Janë vendosur 28 pika vaksinimi. Imunizimi do të realizohet nga ora 8 e mëngjesit deri në 20. Për momentin Ohri është ende në mesin e qyteteve lidere për sa i përket pacientëve me Kovid 19, por ndryshe nga një javë më parë, tani numri i të shtruarve në spital është ulur.
Shumica e tyre, rreth 70-80% janë në oksigjen. Pacienti më i ri është 45 vjeç, dhe më i moshuari është 85 vjeç. “Por, tani kemi mjaft shtretër dhe kjo është një situatë më relaksuese – tha Goran Balev-Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Ohër.
Në Strugë numri i të infektuarve është më i ulët. Për momentin, 25 pacientë janë të shtruar në spitalin e Strugës, për dallim të atyre 90 në Ohër, dhe disa ditë më parë filloi me punë edhe spitali modular.