Koncepti i ri i arsimit kundërshtohet nga drejtorët e shkollave fillore të Strugës

Drejtorët e shkollave fillore në Komunën e Strugës vlerësojnë se koncepti i ri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për digjitalizimin e teksteve shkollore do të shkaktojë shumë probleme dhe vështirësi. Ky ishte konkluzioni i takimit të sotëm me kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko për projekt-ligjin për arsim fillor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Të gjithë drejtuesit e shkollave në mënyrë unanime u pajtuan se zbatimi i programeve të reja mësimore do të ketë shumë vështirësi, si për mësimin klasor ashtu edhe për atë të lëndëve. Theks kryesor iu dha temave siç janë: librat elektronikë, eleminimi i ditarit tradicional në elektronik, mësimi elektronik përmes tableteve dhe tabelave Smart….”, theksoi Merko

Drejtoresha e Shkollës fillore “Vëllezërit Milladinov”, Laura Shate theksoi se në shkollën e saj ku mësimin e ndjekin rreth 1.300 nxënës në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke mënyra digjitale e ndjekjes së mësimit do të paraqesë problem të madh. Nënvizoi se viteve të fundit është duke u rritur numri i fëmijëve me shikim të dëmtuar dhe skoliozë, pikërisht për shkak të kohës që fëmijët e kalojnë në kompjuterë dhe telefona.

“Ndjekja e mësimit pa libra do të jetë problem i madh. Prindërit i bojkotojnë mënyrat e tilla digjitale. Fëmijët u sakatosën tërë ditën para laptopit, shumica janë me skoliozë, ndërsa thuajse të gjithë kanë probleme me fëmijët”, thotë Shate.

Të njëjtat vërejtje i ndajnë edhe drejtuesit e shkollave të tjera fillore në Strugë, të cilët, midis tjerash nënvizuan se një pjesë e prindërve të cilët kanë më shumë fëmijë nuk kanë mundësi të sigurojnë kompjuter për çdo fëmijë e as hapësirë të ngrohtë ku do të ndiqej mësimi. Për shkollat në mjediset rurale, veçanërisht për atë në fshatrat malore, problem do të jetë edhe lidhja me internet, e cila është shumë e keqe.

Konkluzionet nga takimi, Komuna e Strugës paralajmëroi se kryetari Merko do t’i dorëzojë nesër në takimin me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.