Zvicra nisi të hënën me lehtësimin e masave kundër koronavirusit, edhe pse numri i të infektuarve është në rritje. Baret dhe restorantet do të mund t’i rihapin terracat, ndërsa palestrat dhe kinematë mund të rifillojnë punën për aq kohë sa i respektojnë masat e sigurisë.
Mësimi në disa universitete do të nisë po ashtu. Zvicra është vendi i vetëm në Evropë që lehtëson masat e izolimit, derisa numri i rasteve me koronavirus rritet.
Qeveria thotë se ky veprim është i justifikueshëm, sepse numri i rasteve po rritet ngadalë, procesi i vaksinimit po përshpejtohet dhe spitalet nuk janë të mbingarkuara.
Zvicra, vend me 8.5 milionë banorë, ka regjistruar mbi 632,000 raste me koronavirus dhe mbi 10,500 viktima.
Në Portugali, ndërkaq, qendrat tregtare u rihapën sot, për herë të parë në dy muaj.
Nxënësit po ashtu u kthyen në shkolla, ndërsa kafenetë dhe restorantet mund të shërbejnë konsumatorë në terraca.
Para dy muajsh, Portugalia ka qenë në mesin e vendeve më të goditura në Evropë.
Në total, ky vend me 10.2 milionë banorë ka regjistruar mbi 830,000 raste me koronavirus dhe mbi 16,900 viktima./REL