OBSH: Bota mund ta vërë nën kontroll pandeminë brenda pak muajsh

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetëtisë tha të hënën në një konferencë shtypi se bota mund të vërë nën kontroll pandeminë COVID-19 gjatë muajve të ardhshëm nëse shpërndahen në mënyrë të drejtë mjetet e domosdoshme për ta luftuar sëmundjen.

Aktivistja për ndryshimet klimatike Greta Thunberg, iu bashkua konferencës virtuale nga Suedia. Ajo theksoi “nacionalizmin e vaksinave” dhe tha se është joetike që vendet e pasura po i japin përparësi vaksinimit të shtetasve të tyre të rinj përpara grupeve që rrezikohen nga koroanvirusi në vendet në zhvillim.

“Ne kemi mjetet për të futur pandeminë nën kontroll brenda disa muajsh, nëse ato zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të barabartë”, tha në fjalimin e tij kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebrejesys.

Ai gjithashtu shprehu shqetësim për shkallën e lartë të përhapjes së COVID-19 tek personat e moshës 29 deri 59 vjeçare në mbarë botën, gjë që sipas tij mund të jetë për shkak të varianteve shumë më ngjitëse.

“U deshën 9 muaj për të arritur një milion vdekje; 4 muaj për të arritur 2 milionë dhe 3 muaj për të arrritur 3 milionë”, tha ai.

Aktivistja Thunberg tha që ndërsa një në katër persona në vendet e pasura tani është vaksinuar kundër COVID-19, vetëm një në më shumë se 500 njerëz në vendet e varfëra ka marrë njërën dozë.

“Nacionalizmi i vaksinave po udhëheq shpërndarjen e vaksinave”, tha ajo.

“E vetmja gjë e drejtë morale është t’u ipet përparësi njerëzve që janë më të rrezikuart, pa marrë parasysh se a jetojnë në një vend të pasur a të varfër”, shtoi aktivistja.

Dëmet mjedisore

Greta Thunberg gjithashtu foli për një lidhje të drejtpëdrejtë mes pandemisë dhe shkatërrimit të mjedisit gjë që, siç thotë ajo, e bën shumë më të lehtë përhapjen e viruseve të rrezikshme nga kafshët tek njerëzit.

“Shkenca tregon se ne do të përjetojmë shumë më shpesh pandemi shkatërruese nëse nuk ndryshojmë rrënjësisht mënyrën e trajtimit të natyrës… Ne po krijojmë kushtet ideale për shpërrndarjen e sëmundjeve nga një kafshë në një tjetër dhe pastaj tek ne”, tha ajo.

Aktivistja u bën thirrje të rinjve kudo që të vaksinohen nëse kanë mundësi për shkak të solidaritetit me kategoritë që rrezikohen, edhe pse këto grupmosha janë më pak të rrezikuara nga COVID-19.

Maria can Kerkhove, epidemiologe në OBSH, tha gjatë konferencës se rritja e fundit e infeksioneve me COVID-19 në të gjithë botën preku grrupmoshat që më herët nuk rrezikoheshin nga pandemia.

“Po shohim rritje të infeksioneve në të gjitha grupmoshat” tha ajo, duke shtuar se rreth 5.3 milionë raste u raportuan javën e kaluar, rritja më e lartë javore që nga fillimi i pandemisë.

“Po shohim ndryshim të lehtë të moshës në disa vende, të nxitur nga shoqërimet pa distancim fizik,” tha ajo.