BE do të dërgojë mbi 600 mijë doza vaksinash në Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian (BE) po angazhohet në mënyrë intensive që të mundësojë dërgimin e vaksinave kundër COVID-19 në Ballkanin Perëndimor, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, burime në selinë e institucioneve të BE-së në Bruksel.

Sipas këtyre burimeve, bëhet fjalë për rreth 651 mijë doza të vaksinave Pfizer/BionTech, të cilat do të shpërndahen në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi i dërgesës së këtyre vaksinave është imunizimi i profesionistëve shëndetësorë dhe grupeve tjera me përparësi.

Këto vaksina do të vijnë direkt nga BE-ja, dhe janë të pavarura nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

BE-ja është duke punuar për të arritur të ashtuquajturën marrëveshje trepalëshe, e cila do të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor, kompaninë Pfizer dhe vetë BE-në.

Sipas këtyre burimeve, Austria do të jetë vendi që do të ndihmojë në anën administrative të shpërndarjes së vaksinave.

Në dhjetor të vitit 2020, Komisioni Evropian ndau 70 milionë euro për furnizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, zhvilloi të premten një bisedë me ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor përmes video-lidhjes. Ai tha se në këtë bisedë u diskutuan edhe veprimet e fundit për të siguruar shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19.