Dy njerëz me kancer të avancuar të trurit i janë përgjigjur mirë një prove eksperimentale të kombinimit të ilaçeve kimioterapike dhe imunoterapisë. Në një prej rasteve, tumori kërcënues për jetën duket se është zhdukur.
Mjekët në Institutin e Kërkimit të Kancerit dhe spitalin Royal Marsden në Londër paralajmëruan se ky ishte një studim shumë i hershëm, por thanë se është e pazakontë që të kesh një përgjigje kaq të mirë tek pacientët në një provë të hershme. Dhjetë pacientë u regjistruan në provën e fazës së parë të quajtur Ice-Cap. Ata kishin glioblastoma të përparuar, një tumor i rëndë në tru.
Dy nga pacientët iu përgjigjën agjentit imunoterapik atezolizumab të kombinuar me ipatasertib, një ilaç i ri që mund të jetë në gjendje të zbulojë tumoret. Shkencëtarët i paraqitën zbulimet e tyre në Shoqatën Amerikane për Kërkimin e Kancerit në takimin vjetor dhe thanë se studimi i tyre mund të bëjë që shumë pacientë të përfitojnë nga ky kombinim ilaçesh.
Referuar studimit, tumori i Hamish Mykura, 59 vjeç nga West Sussex, u zhduk nga skanimet. Ai u diagnostikua me glioblastoma në gusht të vitit 2018 dhe u dërgua në Royal Marsden për trajtim, që përfshinte kimioterapi dhe radioterapi dhe më pas operacion në spitalin St. George. Kur trajtimi pushoi së funksionuari dhe kanceri filloi të rritet në gusht të vitit 2019, ai iu bashkua provës Ice-Cap. 20 muaj më vonë, Hamish nuk ka kancer të dukshëm.
“Udhëtimi emocional që kam bërë gjatë viteve të fundit ka qenë dramatik dhe, duke marrë parasysh seriozitetin e diagnozës sime, është për t’u habitur që jam akoma këtu,” tha ai.
Dr. Juanita Lopez, udhëheqësja e studimit, tha: “Kanceri i trurit është në gjendje të shmangë sistemin imunitar në mënyra komplekse dhe, deri më tani, imunoterapia nuk ka funksionuar. Sidoqoftë, duke zbardhur sëmundjen duke përdorur një ilaç të ri të quajtur ipatasertib, ky studim sugjeron që ne mund t’i bëjmë disa kancere të trurit të prekshëm nga atezolizumab.”
“Ne besojmë se gjetjet tona hapin derën për zhvillimin e mëtejshëm të asaj që mund të bëhet një mundësi trajtimi për disa pacientë me kancer agresiv të glioblastomës në tru. Pacientët me glioblastoma kanë nivele shumë të dobëta të mbijetesës dhe madje edhe më pak mundësi të reja trajtimi.”