Në Maqedoni është vaksinuar vetëm 0.7% e popullsisë!

Maqedonia është në rangun e Afrikës Jugore dhe Ugandës sipas përqindjes së personave të vaksinuar. Janë vaksinuar gjithsej 12.100 qytetarë, respektivisht vetëm 0.7% e popullsisë, me çka radhitet mes vendeve ku procesi i vaksinimit është i dobët dhe i ngadaltë. Kryeministri Zaev paralajmëron se deri në fund të prillit do të mbërrijnë mbi 300.000 vaksina të reja.

“Presim që muajin prill ta përmbyllim me mbi 300.000 doza të vaksinës dhe edhe një herë do të përsëris prej ku priten këto vaksina. Presim të mbërrijnë sasitë e para, gjegjësisht 651.000 doza nga BE për Ballkanin Perëndimor, ku për vendet tona janë 100.000. Më me siguri 20-25 mijë doza do të mbërrijnë ditëve në vijim, gjatë këtij muaji, pasi disa herë thamë se kjo nuk varet vetëm prej nesh, por edhe nga pala tjetër, respektivisht nga furnizuesi i vaksinave. Presim dërgesën e parë të vaksinës “Fajzer”, kompani më të cilën kemi marrëveshje për 800.000 vaksina, pastaj e presim edhe dërgesën e dytë nga kovaks-mekanizmi, të cilën me siguri do ta marrim në prill. Në prill presim edhe 200.000 doza nga Kina, si dhe një sasi të konsiderueshme nga vaksina ruse “Sputnik”, me të cilën kemi kontratë për 200.000 vaksina”, tha kryeministri Zaev.