Nga sot, fermerët mund të aplikojnë për subvencione

Aplikimi për marrjen e subvencioneve bujqësore fillon sot, dhe do të zgjasë deri më 31 maj të këtij viti. Të gjithë fermerët e interesuar do të mund të dorëzojnë aplikacion elektronik përmes faqes së internetit, të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi. Nga Agjencia thonë se për këtë vit janë planifikuar rreth 80 milion euro, të destinuara për subvencione, për fermerët.

“Pas dorëzimit elektronik të kërkesës, aplikantët duhet të shtypin dy kopje dhe t’i nënshkruajnë ato personalisht, pas së cilës duhet të dorëzojnë një kopje në agjencinë pagesore. Ata fermerë, që nuk dinë të dorëzojnë kërkesë, ose kanë nevojë për ndihmë në krijimin e kërkesës elektronike, mund të kontaktojnë njësitë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave”, tha Nikica Baçovski – Drejtor i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi.