Vitin e kaluar, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli COVID-19n pandemi globale, sëmundja tashmë ishte provuar të ishte vdekjeprurëse dhe shumë ngjitëse. Në atë kohë ky virus i ri kishte shumë të panjohura. Që atëherë, shkencëtarët kanë mësuar shumë rreth Covid-19s dhe se si ndikon ai në organet jetike dhe cilat janë efektet e tij afatgjata.
COVID-19 është një sëmundje e frymëmarrjes e shkaktuar nga virusi i njohur zyrtarisht si SARS-COV2.
Kjo është hera e dytë që një koronavirus infekton njerëzit dhe shkakton vdekje. SARS u shfaq për herë të parë në Kinë në nëntor të vitit 2002. Versioni aktual i virusit doli nga Kina në 2019, prandaj quhet COVID-19.
Virusi sulmon mushkëritë. Pas arritjes në mushkëri, ai shumëzohet dhe neutralizon molekulat që na ndihmojnë të luftojmë infeksionet. Shumica e njerëzve shërohen, por virusi mund të dëmtojë mushkëritë dhe krijon vështirësi në frymëmrrje. Thomas Steele kishte nevojë për një transplant të dyfishtë të mushkërive për shkak të infektimit me Covid-19.
“Nuk kam përjetuar asgjë më të vështirë se sa të rrija në një dhomë spitali duke gulçuar për çdo frymëmarrje. U përballa me këtë për 58 ditë”, thotë Thomas Steele që fitoi betejën me Covid-19.
Mushkëritë transportojnë oksigjenin në enët e gjakut. Koronavirusi mund të dëmtojë mushkëritë, duke shkaktuar uljen e nivelit të oksigjenit në gjak. Pacientët e goditur rëndë mund të kenë nevojë për respirator për t’i ndihmuar të marrin frymë.
Covid-19 gjithashtu mund të shkaktojë mpiksje të rrezikshme në qarkullimin e gjakut. Njerëzit që tashmë kanë dëmtuar enët e gjakut, nga presioni i lartë i gjakut ose goditja në tru, dhe sëmundjet e zemrës kanë një rrezik më të lartë për pasoja serioze nga kjo sëmundje.
Këto mpiksje mund të formohen në të gjithë trupin, përfshirë mushkëritë dhe zemrën. Mpiksja e gjakut mund të shkaktojë sulm në zemër ose goditje në tru.
Dr. Allen Anderson është një nga shumë kardiologët që panë se si disa njerëz me zemër të shëndetshme pësuan dëmtime të zemrës nga koronavirusi.
“Ata kishin ngritje të nivelit të enzimës së gjakut që ishte në përputhje me nivelet e shkaktuara nga një sulm në zemër edhe pse ata nuk kishin asnjë bllokim në arteriet e tyre koronare. Ata gjithashtu kishin çrregullime të ritmit të rrahjeve të zemrës”, thotë Dr. Allen Anderson nga Universiteti i Teksasit në San Antonio.
Virusi dhe pezmatimi që sjell ai, mund të dëmtojnë indin e zemrës. Disa nga dëmet mund të riparohen, ndërsa për disa të tjera kjo nuk është e mundur. Mjekët gjithashtu kanë mësuar se si virusi mund të dëmtojë një organ tjetër jetësor, veshkat. Një rrjet i madh spitalesh në Nju Jork ka analizuar të dhënat e mbi 5,000 pacientëve të infektuar me Covid-19 vitin e kaluar.
“Nga 5,449 pacientë që analizuam, 36.6 përqind e tyre patën dështim akut renal ose dëmtim të veshkave. Nga ata që morën dëmtime në veshka, 14 përqind patën nevojë për dializë”, thotë Dr. Kenar Jhaveri nga spitali Hofstra/Northwell.
Shkencëtarët ende po studiojnë ndikimin e COVID-19 në organizëm. Por efektet më të rënda fillojnë me mushkëritë. Mushkëritë e dëmtuara e kanë më të vështirë të transportojnë oksigjenin në enët e gjakut. Dhe për të funksionuar organet kanë nevojë për oksigjen. Në mungesë të oksigjenit ato mund të dështojnë, përfshirë mushkëritë, zemrën, veshkat dhe mëlçinë.
Dhe pastaj ka pasoja afatgjata të sëmundjes. Disa nuk janë të rrezikshme për jetën, por mund të ndikojnë në cilësinë e jetës. Simptomat përfshijnë lodhje të vazhdueshme, dhimbje koke, gulçim ose dhimbje gjoksi. Të tjerët mund të përjetojnë mjegullim të trurit, probleme të kujtesës, ankth dhe depresion. Të gjithë të infektuarit, jo vetëm ata që u shtruan në spital, mund të kenë simptoma afatgjata. Nuk ka asnjë mënyrë për të treguar se kush do të vuaj nga efektet afatgjata.
“Ne nuk e dimë se sa pacientë do të kenë këto simptoma të Covid-19 pas infeksionit. Nivelet mund të jenë midis 10 dhe 80 për qind, kështu që mund të ketë një numër të madh personash që po përjetojnë simptoma edhe pas asaj periudhe katër javore kur ne presim që njerëzit normalisht të shërohen”, thotë Dr. Krisitn Englund nga Klinika e Klivlendit.
Disa qendra mjekësore kanë filluar trajtime speciale për njerëzit, të cilët vazhdojnë të kenë simptoma edhe pas shërimit nga sëmundja e koronavirusit. Të tjerët mund të mos jenë duke vuajtuar nga efektet afatgjata, por jeta e tyre ka ndryshuar në mënyrë drastike për shkak të Covid-19.
“Në pjesën tjetër të jetës sime, unë kurrë nuk do të jem siç kam qenë”, thotë Thomas Steele, i cili është shëruar nga infeksioni.
Ai është një nga shumë njerëzit e tjerë që nuk do të jenë kurrë më siç ishin për shkak të Covid-19.