Pandemia, Google fillon t’i kthejë punëtorët në zyra

Gjiganti i teknologjisë Google do të ndryshojë politikën e punës nga shtëpia dhe do t’iu kërkojë më shumë punëtorëve të kthehen në zyrat në SHBA.

Politika e tanishme e punës nga shtëpia do të vazhdojë deri më 1 shtator, ndërsa njerëzit do të lejohen të kthehen vullnetarisht në zyra, nisur nga muaji i ardhshëm.

Nga shtatori, punonjësit do të pritet të jenë në zyra së paku tre ditë në javë.

Nëse edhe pas 1 shtatorit, punonjësit duan të punojnë nga distanca për më shumë se 14 ditë në vit, ata duhet të aplikojnë për diçka të tillë.

Google ka qenë ndër kompanitë e para që ka ofruar punën nga shtëpia vitin e kaluar, kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

Google është duke i këshilluar punëtorët që të vaksinohen kundër koronavirusit, por nuk do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për kthim në vendin e punës.

Kompania tjetër e teknologjisë, Twitter, ka thënë se do të lejojë shumicën e punonjësve të saj të punojnë nga shtëpia përgjithmonë.

Facebook do të fillojë t’i rihapë zyrat në Kaliforni në fillim të majit, pas më shumë se një viti pune nga shtëpia.