Shkon në mbi 300 mijë numri i viktimave nga Covid-19 në Brazil

Në Brazil, vendi i dytë më i prekur nga COVID-19 numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të virusit ka shkuar në mbi 300 mijë. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, me 89.992 raste të reja që janë regjistruar në 24 orët e fundit, ka arritur në 12.220.011 numri gjithsej i rasteve me COVID-19 në vend, ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 300.685 me 2.009 vdekje të reja.

Gjithashtu numri i të shëruarve në vend ka arritur në 10.689.646. Vendi i Amerikës Jugore, Brazili, popullsia e të cilit ka shkuar mbi 210 milionë banorë, është vendi më i prekur nga pandemia e COVID-19 pas SHBA-së.

Që prej 8 janarit në vend kanë humbur jetën 100 mijë persona për shkak të COVID-19, ndërsa numri i rasteve nga 7,1 milionë u rrit në 12,2 milionë.

Brazili po kalon ditë të vështira për shkak të tejmbushjes në javët e fundit të kapaciteteve në njësitë e kujdesit intensiv, por edhe për shkak të përhapjes së P1, llojit më ngjitës të COVID-19 i cili mendohet se është shfaqur në rajonin Amazonas.

Në javën e fundit mesatarja e vdekjeve ditore në vend ka vazhduar të jetë mbi 2.300, ndërsa numri i rasteve ditore mbi 75 mijë.