Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë të enjten se ka vënë një synim të dhënies së 200 milionë dozave të vaksinave kundër koronavirusit, në 100 ditët e para të udhëheqësisë së tij.
Biden ka nisur udhëheqësinë më 20 janar të këtij viti.
“Unë e di që është cak ambicioz, dyfish më i madh sesa caku fillestar, mirëpo asnjë shtet në botë nuk është më afër”, ka thënë Biden në konferencën e parë të mbajtur para gazetarëve, prej kur ka nisur mandatin e presidentit.
Administrata e tij fillimisht kishte vënë cak për dhënie të 100 milionë dozave të vaksinave në 100 ditët e para, zotim që është përmbushur para kohe.
Ai ka përmendur edhe përparimin në fushën e ekonomisë, duke thënë se numri i personave që janë lajmëruar si të papunë, ka rënë dukshëm.
“Shumë amerikanë ende janë pa punë, shumë familje janë dëmtuar dhe ende ka shumë punë për të bërë. Mirëpo mund t’ju them familjeve amerikane: Ndihma është këtu dhe shpresa është në ardhje”.
Presidenti amerikan u ka bërë thirrje republikanëve në Kongresin amerikan që t’i ndihmojnë të çojë përpara agjendën e tij apo “të vazhdojnë politikën e ndarjes”, teksa trajton çështjet e kontrollit të armëve, ndryshimeve klimatike dhe reformave në imigrim.
“E gjithë ajo që di është se unë jam zgjedhur për të zgjidhur problemet, jo për të krijuar ndasi”, ka thënë ai.
Atij i është kërkuar të mbrojë politikat e tij për migrimin në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën, meqë atje ka rritje të numrit të fëmijëve të pashoqëruar.
Biden ka thënë se rritja e shkallës së migrimit përsëritet gjithmonë.
“Ndodh çdo vit. Ka rritje të shkallës së migrimit dhe të njerëzve që vijnë në kufi, në muajt e dimrit. Ndodh çdo vit”, ka thënë mes tjerash ai.
Sipas tij, shumë migrantë janë duke ikur nga problemet që ekzistojnë nëpër vendet e tyre.
Biden ka fajësuar paraardhësin e tij Donald Trump për dëmtim të sistemit amerikan të imigrimit.
Përgjatë konferencës, Biden ka thënë se nuk synon të mbajë për kohë të gjatë trupat ushtarake amerikane në Afganistan.
Megjithatë, Biden ka thënë se është e vështirë që të përmbushet afati i fundit i largimit të trupave më 1 maj të këtij viti.
Ky afat kohor është caktuar pas arritjes së marrëveshjes në mes të administratës së kaluar amerikane dhe talibanëve, me qëllim të arritjes së paqes në Afganistan.