Rreshjet e borës, dhjetëra aksidente në Shkup

Dru të rënë, trafostacione të djegura, rrugë të bllokuara, numër i rritur i aksidenteve të trafikut. Këto janë vetëm disa nga problemet e shkaktuara nga bora e pranverës. Kamera e Alsatit, në terren regjistroi disa dru, që ishin ende në rrugët e kryeqytetit. Kryetari i Shkupit Petre Shilegov, thotë se ata që kishin dëme nga stuhia, për dëmshpërblim të drejtohen te kompanitë e sigurimeve, ose Qyteti i Shkupit.

“Pres ashtu si përmirësohen kushtet e motit, ashtu do të pastrohen të gjitha degët e tjera, si dhe gjethet. Nuk kemi numër të madh të dëmeve të raportuara, gjë që është me fat, dhe akoma më me fat është se nuk kemi ndonjë lëndim të qytetarëve”, deklaroi Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit .

Që nga kjo pasdite, të gjitha autostradat, rrugët magjistrale dhe rrugët rajonale në të gjithë Maqedoninë janë të kalueshme, thonë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë”.

Edhe në Strazhë rruga është e kalueshme, me faktin se ka pasur ndalim të përkohshëm për automjetet me ngarkesë të rëndë, në seksionin Gostivar – Mavrovë, Gostivar – Kërçovë, dhe tani trafiku është normalizuar dhe është lëshuar në përdorim”, pohoi Rushka Haxhidimitrova – NP “Rrugët e Maqedonisë”.

Gjatë ditës së djeshme, nga Ministria e Brendshme për Alsat thanë se kishte pasur 35 aksidente trafiku, pesë prej të cilave përfunduan me lëndime të rënda trupore, ku gjashtë persona janë lënduar. Në 10 aksidente trafiku ka pasur lëndime të lehta, ndërsa në 20 aksidente trafiku tjera ka pasur vetëm dëme materiale.

“Kjo dëborë pranverore me siguri do të shkaktojë probleme për shoferët që vendosën të zëvendësojnë gomat e tyre të dimërit me të verës, detyrim që skadoi më 15 të këtij muaji. Nëse jo në zonat urbane, me siguri vështirësi serioze do kenë nëse vozisin në zonat malore të vendit“.

Reshje dëbore do të ketë deri të enjten, ndërsa vikendin e ardhshëm do mund të presim temperatura pranverore mbi 15 gradë. Më shumë borë deri më tani ka ra në Mavrovë, Krushevë dhe Kodrën e Diellit.

“Nga e enjtja, do të kemi stabilizim të motit me rritje të temperaturave ditore, por temperaturat e mëngjesit deri në fundjavë në mbarë vendin do të jenë nën zero”.

Mbrëmë banorët e lagjeve të Shkupit Autokomandë dhe Hekuranë u shqetësuan nga zjarri i madh që shpërtheu në një trafostacion që ndriçoi qiellin. Shkaku i defektit i cili u riparua brenda disa orësh ishte rrëzimi i një druri. Sipas informacioneve nga EVN, ka pasur ndërprerje në furnizimin me energji elektrike në pjesët malore të Shkupit në rajonin e Karadakut të Shkupit dhe Katlanovës, rajonin e Dibër dhe Strugës, Llukovë, Jançe, Lazaropole, Velebrdo dhe rajonin i Resnjës në Oteshevo, Lubojno dhe Pretor. Ndërsa vendbanimi Trubarevë në errësirë totale mbeti për më shumë se 15 orë për shkak të ndërprerjeve të energjisë.