Tentuan të kontrabandojnë 200 kg marihuanë, arrestohen një strugan dhe një kërçovar

Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Brendshme ka shkatërruar kanalin ndërkombëtar për transport të marihuanës nga Shqipëria për në Maqedoninë e Veriut.

U konfiskuan 200 kilogram marihuanë dhe u arrestuan dy persona, ka njoftuar sot zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

“Pas masave të ndërmarra paraprakisht, ndaj SH.A.(23) nga fshati Livardhi e Strugës, i cili paraprakisht është i njohur për policinë si transportues i drogës, ka qenë i angazhuar të marrë drogën nga Shqipëria dhe më pas ta dërgojë në lokacione të ndryshme të vendit. Dje, 20 mars, rreth orës 13, në rrugën drejt fshatit “Manastiri”, policët kanë dhënë shenjë për ndalesë të veturës “Audi A6″, me targa të Strugës, me shofer SH.A.(23), por ai nuk ka ndaluar dhe është lëshuar në arrati. Gjatë përpjekjes për t’u arratisur, ai ka dëmtuar 3 vetura policore, kurse është përdorur edhe armë zjarri. Pas kësaj, SH.A. u kap dhe është arrestuar”, njoftoi Angellovski, transmeton TV21.

Gjatë bastisjes së veturës, janë gjetur 4 çanta të mëdha, në të cilat kishte qenë e vendosur marihuana.

Në lidhje me këtë rast, është arrestuar edhe N.A.(41) nga fshati Zajaz i Kërçovës, në të cilin është gjetur edhe armë pa leje.

Pasi Gjykata dha urdhër të bastiset edhe shtëpia e tij, aty u gjet edhe një tjetër armë, me 32 plumba të kalibrit 7.62mm.

Të arrestuarit do t’i dorëzohen gjykatës për procedurë të mëtutjeshme.