Vazhdon të shënojë rritje numri i të shtruarve në spitale nga koronavirusi. Gjatë 24 orëve të fundit në Qendrat Kovid të kryeqytetit janë hospitalizuar 84 persona derisa nëpër spitale po trajtohen 1289 pacientë. Ndërkohë vendi ende pa vaksina. Ministri Filipçe tha se nuk ka datë të saktë për arritjen e vaksinave, por se imunizimi do të bëhet me vaksinën Astra Zeneca dhe me ato kineze.
Jemi në komunikim çdo ditor. Prodhuesit janë përballë me sfidën për porosinë e vaksinave të nevojshme. Kemi disa paralajmërime për arritjen e vaksinave dhe ato janë për në fund të muajit mars – javët e para të Prillit, por përsëri marrë parasysh përvojën e deritanishme, përvojën e vendeve tjera, përvojën me Kovaks sistemin, të gjithë ato përballen me këtë sfidë, atëherë kur do jemi të informuar më sigurtë se janë nisur për në Maqedoni atëherë do ta bëjmë publike- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Deri më tani janë vaksinuar 5,755 punonjës shëndetësor derisa 110,827 qytetarë kanë shprehur interesim për vaksinim. Numri i të prekurve shënon rritje në të gjithë botën. Drejtori i OBSH-së ka deklaruar se shifrat janë shqetësuese, ndërsa numri i viktimave shënon rënie por me tempo të ulët.
Këto janë trende shqetësuese të cilat tregojnë për ndikimin e mutacioneve të virusit, hapjes së shoqërive dhe furnizimit të pa barabartë të vaksinave- pohoi Tedros Adrahamos, Drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetit
Në 24 orët e fundit në mbarë botën janë regjistruar më shumë se 535 mijë persona të prekur nga koronavirusi dhe rreth 10 mijë të vdekur.