Këto janë arsyet pse njerëzit preken prej alergjive ushqimore

Numri i njerëzve që kanë alergji ushqimore sa vjen e shtohet. Ajo që të gjithë pyesin është se çfarë e shkakton këtë?

Teoritë që mbizotërojnë, tregojnë për një mungesë të patogjenëve natyralë në mjedisin modern, të tillë si parazitët, transmeton lajmi.net.

Ky mund të jetë shkaku që trupat tanë bëhen shumë të ndjeshëm ndaj ushqimeve të caktuara.

Imunobiologët mendojnë se sistemi i kontrollit të cilësisë së ushqimit, i cili është krijuar për të na mbrojtur nga konsumi i ushqimeve të dëmshme, mund të jetë fajtori i zhvillimit të alergjive ndaj ushqimeve të zakonshme.
Me kalimin e kohës, sistemit tonë imunitar nuk i duhet të përballet me rreziqe të ndryshme natyrore, prandaj ai reagon ndaj asaj që has çdo ditë, ushqimit.

Substancat që nuk janë natyrale në ushqimet e përpunuara, kimikatet mjedisore dhe mungesa e ekspozimit ndaj mikrobeve, mund të jënë disa nga faktorët e zhvillimit të alergjive.

“Ne nuk mund të krijojmë mënyra për të parandaluar ose trajtuar alergjitë ushqimore derisa të kuptojmë plotësisht problemin në themel”, thotë studiuesi Ruslan Medzhitov, Profesor i Imunobiologjisë në Sterling.

Studiuesit e Universitetit të Yale-it, kanë hedhur teorinë se tre faktorë mjedisorë mund të kenë ndikuar, duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në ndjeshmërinë e lartë të sistemit tonë imunitar ndaj disa ushqimeve.

Një faktor është rritja e përdorimit të produkteve të higjienës dhe përdorimi i tepruar i antibiotikëve.

Së dyti, ndryshimi i regjimit ushqimor, konsumi i shtuar i ushqimit të përpunuar dhe reduktimi i ushqimit të rritur natyrshëm.

Së treti, konservuesit që gjenden tek ushqimet u paraqitën si elementë që mund të ndikojnë në zhvillimin e alergjive.

Por mbeten ende shumë kërkime për t’u bërë, kështu që gjëja më e mirë që mund të bëni për momentin, është të reduktoni konsumin e ushqimeve të përpunuara dhe të konsumoni sa më shumë ushqime të freskëta.