Vaksina ruse Sputnik V pritet të prodhohet edhe në Gjermani. Kreu i fondit shtetëror të investimeve direkte RDIF, Kirill Dmitriev, tha, sipas agjencisë Interfax, se vendi i tij ka arritur një marrëveshje me sipërmarrjet për këtë. Por ai nuk përmendi emra.
Marrëveshje ka edhe me firma në Francë, në Itali dhe në Spanjë. Qëllimi është të garantohet shpërndarja e vaksinës ruse në vendet evropiane, pasi ajo të jetë licensuar për Evropën. Bisedime ka edhe me kompani të tjera për të shpërndarë vaksinën në ato vende që përdorin Sputnik V edhe pa miratimin e BE, tha Dmitrijev.
Sputnik V aktualisht nuk është aprovuar ende në Bashkimin Evropian (BE), Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) ende po e studion. Italia kishte njoftuar që para një jave se firma Adienne Srl. në Lombardi do ta prodhojë Sputnik V.
Te vaksinat kundër Covid-19 të Biontech/ Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca të miratuara deri tani nga EMA, procesi i miratimit zgjati midis disa javësh dhe tre muajve.