Edhe një premtim i ri për riorganizim të institucioneve shtetërore, teksa kjo reformë e administratës publike është pjesë e Agjendës “Evropa në shtëpi”. Këtë herë ekzekutivi parashikon që deri në fund të vitit, ta finalizojë ligjin e ri për organizim të administratës publike, i cili do të duhet të kalojë fazën e debatit publik, miratimit në Kuvend dhe harmonizimin e ligjeve të tjera që kryqëzohen me të. I pari i Ministrisë së ngarkuar me këtë detyrë, Jeton Shaqiri thotë se reforma do të jetësohet deri në 2024-tën.
“Me dorëzimin e raporteve, që nuk besoj të kemi vonesë, deri në fund të muajit mars. Kur të dorëzohet raporti integral na pret muaji prill dhe fazat tjera, kur do të fillojmë me krijimin e Ligjit për organizimin e organeve të administratës shtetërore. Ky ligj është i rëndësishëm dhe nuk mund ta parashikoj debatin i cili mund të ndodhë mes subjekteve të pozitës dhe opozitës. Unë shpresoj, e kemi brenda mandatit për vitin 2020-2024”, tha Jeton Shaqiri, Ministri i Shoqërisë Informatike.
Sipas ministrit, bashkimi apo shfuqizimi i institucioneve nuk do ta zvogëlojë menjëherë numrin e administratorëve. Tha se fatin e tyre do ta vulosë një analizë tjetër, por pas riorganizimit.
“Kur të vijë koha do të analizohen këto programe për të parë mundësinë atje ku do të kemi një tepricë më shumë do të shihet mundësia për një bashkim tjetër i cili përsëri është deficitar”, u shpreh Jeton Shaqiri, Ministri i Shoqërisë Informatike.
Edhe ish Ministri, Damjan Mançevski kishte premtuar se për 1 vit do ta riorganizonte tërësisht administratën, por kjo nuk ndodhi. Por shkaku i shumicës së brishtë parlamentare dhe pandemisë, profesori, Gocevski është skeptik se reforma do të ketë sukses edhe këtë herë.
“Nëse numri i të punësuarve është më i madh sesa puna, kjo është tregues se në mënyrë iracionale është udhëhequr politika kadrovike. Sektori publik në Maqedoninë e Veriut është viktimë e negociatave të koalicioneve dhe udhëheqjes klienteliste me sektorin publik. Që të qëndrohet në pushtet patjetër të sigurohet mbështetje dhe simpatizantë, si ta arrijmë këtë kur kemi treg jofleksibil të punës në sektorin privat?! Do t’i ofrojmë punësim në administratë shtetërore!”, deklaroi Dragan Gocevski, Profesor.
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, vlerësohet se vendi është mesatarisht i përgatitur në reformën e administratës publike dhe rekomandon të vendoset kornizë ligjore që siguron punësim bazuar në meritë, finalizimin e shqyrtimit horizontal dhe fillimin e zbatimit të garancive të qarta të përgjegjësisë mes institucioneve.