Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës i Qeverisë së RMV-së, Jeton Shaqiri, qëndroi sot për vizitë pune në Universitetin e Tetovës, ku u takua më Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Jur. Dipl. Adem Beadini dhe përgjegjësi i Zyrës për Financa dhe Kontabilitet, Mr.Sc. Imberjah Tairi. Në këtë takim pune u theksua se bashkëpunimi në mes institucioneve arsimore dhe dikastereve qeveritare është tejet me rëndësi dhe në funksion të mbarëvajtjes së proceseve të përgjithshme në vendin tonë.
Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti, ministrin Jeton Shaqiri e njoftoi me ecurinë e përgjithshme që zhvillohet në UT, realizimin e procesit mësimor-shkencor, por edhe veprimtarinë ndërkombëtare që UT tashmë ndër vite po e realizon me universitetet prestigjioze nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Edhe përkundër situatës epidemiologjike, Universiteti ynë është i përkushtuar që ta realizojë veprimtarinë e përgjithshme arsimore, vazhdimin e projekteve hulumtuese dhe programeve të tjera të dobishme për institucionin tonë. Ngritja e kapaciteteve kadrovike me kohë, infrastruktura moderne dhe digjitalizimi i saj na kanë mundësuar që ta përballojmë me pasoja jo shumë të mëdha pandeminë Covid-19, ndaj vlerësojmë se e kemi bërë detyrën tonë si drejtues të këtij institucioni”- theksoi Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Jeton Shaqiri, u shpreh i kënaqur për pritjen ne UT dhe bashkëpunimin korrekt ndërinstitucional.
“Ne si ministri jemi të kënaqur me komunikimin shumë korrekt që realizohet në mes institucioneve tona dhe që përfshin lëmenj të ndryshëm. Jam i bindur që me këto ritme punë besoj të vazhdojmë edhe në të ardhmen dhe nëse është e nevojshme t’i intensifikojmë edhe më shumë marrëdhëniet e bashkëpunimit me të vetmin qëllim që t’u ofrojmë shërbime sa më cilësore qytetarëve tanë”- tha me këtë rast ministri, Jeton Shaqiri.
Në përmbyllje të takimit, drejtuesit e institucioneve respektive u pajtuan që edhe në të ardhmen të vijohet me takime të kësaj natyre që kontribuojnë në avancimin e çështjeve arsimore dhe administrative.