Partitë Shqiptare një zëri ndaj Zaevit / “Ska takim liderësh deri sa nuk zgjidhet ligji për shtetësi”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka shprehur gatishmëri për mbajtjen e një takimi të liderëve të partive parlamentare.

Përveç partive në opozitë, ai tha se është i gatshëm të ulet edhe me partitë më të vogla të përfaqësuara në Kuvend për të tejkaluar të gjitha dallimet dhe mosmarrëveshjet.

Por qëllimi kryesor i një takimi të tillë, sipas kreut të Qeverisë së vendit fqinj, është zhbllokimi i Kuvendit që erdhi si pasojë e dorëzimit të mijëra amendamenteve nga partitë shqiptare në opozitë.

Ai thotë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë dhe mund të zgjidhet në dy mënyra, një prej të cilave është edhe takimi i liderëve.

“Sa kemi ndonjë plan për zhbllokimin e Kuvendit, me ato amendamentet e opozitës, me ato bllokada përmes komisioneve që udhëhiqen nga ana e opozitës, kemi dy plane, njëri është që të na ndihmoni ju si media dhe të njoftoni opinionin se cilat janë detajet e bllokadës që të mund politikanët që nuk kanë bazë të argumentuar, të tërhiqen. Flas edhe për pushtetin edhe për opozitën. Dhe pjesa e dytë është dialogu. Çdo ditë në kuvend ulen dhe bisedojnë, në rast se ka nevojë për takim liderësh edhe atë do ta bëj, do të thërras takim liderësh, edhe me opozitën maqedonase, edhe me opozitën shqiptare dhe partitë e tjera në Kuvend, por besoni se dëmin e përjetojnë vetëm qytetarët” ka thënë Zaev.

Duke komentuar ligjin për shtetësi që u bë shkak për bllokimin e Kuvendit, Zaev tha se duhet të rregullohen procedurat për marrjen e shtetësisë, por kjo shtoi se duhet të bëhet në përputhje me praktikat evropiane dhe jo me dëshmitarë, përcjell Zhurnal.mk.

Lëvizja Besa dhe BDI po i bëjnë presion Zaevit për ligjin për shtetësi

Sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa Arjanit Hoxha në emisionin Click plus tha se kryeministri Zoran Zaev bën thirrje për takim liderësh sepse Lëvizja Besa dhe BDI bëjnë presion në Qeveri për ligjin për shtetësinë.

“Deklarata e Zaevit se jemi të hapur që të flasim për të gjithë I drejtohet debatit të bredëshëm qeveritar që e kemi hapur ne si partner koalicioni. Unë e tregoj këtë si pjesëmarrës i Qeverisë se ne I debatojmë këto tema. Kjo flet për një trysni brenda koalicionit qeverisës nga partitë shqiptare që janë aty Lëvizja Besa dhe BDI për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate dhe të zgjidhet ky problem”, tha Hoxha.

Ziadin Sela kundër idesë për takim liderësh

Edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela sonte në emisionin debativ “Rrugadrejt” në Alsat-M, tha se kundërshton takim liderësh, dhe se zhbllokimi i ligjeve do ta bëjnë vetëm në rast se zhbllokohet ligji për shtetësi.

“Nuk mendoj se ka nevojë për takim liderësh. Nuk e di pse duhet të ketë nevojë për një gjë të tillë. Le ta heqë bllokimin, atëherë edhe ne e bëjmë të njëjtën”, tha Sela në emisionin “Rruga drejt”.