Teksasi i dha fund të mërkurën, një urdhri që detyronte mbajtjen e maskave në të gjithë shtetin si dhe kufizonte numrin e personave që ndodhen njëkohësisht brenda një biznesi, vendim që disa e shohin si liri e të tjerë si marrëzi.
Gjithsesi në praktikë pjesa dërrmuese e Teksasit e ka zbatuar rrallë urdhrin për mbatjen e maskave gjatë vitit të kaluar.
Disa biznese të mëdha të tregtisë me shumicë, dyqanet ushqimore e restorantet në Teksas kanë thënë se do të vazhdojnë t’u kërkojnë njerëzve që t’i mbajnë maskat në bizneset e tyre, gjë që sipas urdhrit të Guvernatorit Greg Abbott mbi lehtësimin e kufizimeve, është e drejtë e tyre.
Teksasi ishte një nga shtetet e para që rihapi ekonominë pas valës së parë të rasteve me koronavirus majin e kaluar dhe shteti i dytë më i populluar i vendit që udhëhoqi sërish këtë prirje javën e kaluar kohë kur Guvernatori republikan Greg Abbott njoftoi lehtësimin e kufizimeve mes rënies së numrit ditor të infeksioneve të reja me COVID -19 dhe shpërndarjes së vaksinave.
Këshilli i qytetit Austin votoi për të detyruar mbajtjen e maskave, por nuk dha detaje se si do të zbatohej kjo. Anëtarët këshillit sfiduan hapur zyrtarët e shtetit, duke rrezikuar që këta të fundit të ngrejnë padi ndaj qytetit.
“Në Austin, ne jemi të përkushtuar për të shpëtuar jetë”, shkruante anëtari i këshillit të qytetit Greg Casar në Twitter.
Në një posim në Twitter të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit shkruhej se “po shiheshin rrugët ligjore në dispozicion” për ta trajtuar rastin e Austinit.
Në udhëzimet e Agjencisë Arsimore të Teksasit për shkollat publike flitet për përdorimin e vazhdueshëm të maskave, ndërsa për shtëpitë e të moshuarit të këtij shteti, kufizimet nuk do të hiqen.