7 Marsi – Dita e mësuesit, datë historike për arsimin shqip

Në kalendarin e festave zyrtare dhe atyre jozyrtare, shtetet dhe kombet e ndryshme  të botës shënojnë dhe kremtojnë data të ndryshme nga historia e tyre. Shqiptarët e festojnë 7 Marsin, si Dita e Mësuesit, dhe kjo festë, ndonëse  në historinë tone shënon një ditë me rëndësi arsimore e kulturore,  ka mbetur  me status të festës jozyrtare. Është caktuar 7 Marsi si Dita e Mësuesit, me Vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, nr.113, datë 3 Mars 1960,  kurse në Kosovë kjo festohet prej vitit 1994.

E festojmë 7 Marsin në shenjë kujtimi të themelimit të Mësonjëtores së parë  publike shqipe në Korçë (7 Mars 1887). Deri atëherë, mësimi në gjuhën shqipe ishte rreptësisht i ndaluar, ndërsa në trojet shqiptare funksiononin mbi 2500 shkolla publike e private, shtetërorë e fetare: turke, greke, sllave, latine.

Hapja  publike e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, me karakter kombëtar dhe laik,  ishte një fitore e madhe dhe kjo u arrit në saje të angazhimit të një grupi të rilindësve dhe me përkrahjen e  patriotëve të vendit e të mërgatës shqiptare. Kontribut të veçantë për atë Mësonjëtore dhanë Kolonia Shqiptare dhe Shoqëria “Drita” e Bukureshtit,  që  kishte shtypur librat  e vëllezërve Naimi e Sami Frashëri,  të cilat përdoreshin në Shkollë. Shkollën e ndihmuan  edhe  shumë aktivistë e patriotë tjerë.

Korçari Mandi Tërpko e fali shtëpinë e vet për këtë shkollë. Fillimisht në atë Mësonjëtore u regjistruan 35 nxënës, kurse në vitin e dytë  arriti në 300 nxënës, djem e vajza, të të gjitha shtresave shoqërore e fetare, nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Aty mësohej, lexohej e këndohej vetëm shqip. Nxënësit e asaj Mësonjëtoreje, të edukuar në frymën e patriotizmit të Rilindjes kombëtare, do të bëheshin pasues të devotshëm të mësuesve të tyre në luftën për liri e pavarësi të vendit. Mësuesit e parë ishin Pandeli Sotiri, Thoma Sina, Thoma Avrami, etj, ndërsa drejtuesit e shquar të asaj Shkolle ishin: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj.

Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe edhe në disa qytete tjera shqiptare, por nuk vonoi shumë kohë dhe, në bazë të propagandës klerofashiste greke, administrata turke i mbylli, kurse drejtorin e parë të Mësonjëtores, Petro Nini Lurasin e mbytën (helmuan) në Stamboll qarqet reaksionare të xhonturqve, në bashkëpunim me klerofashizmin grek dhe me Patrikanën e Stambollit.

Me rastin e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Naim Frashëri shkroi këto vargje:

Hapu, hapu errësirë,

Pa jakë tëhu o dritë,

Se arriti kohë emirë,

U gëdhi nata – u bë ditë!

……………………………….

Dita e Mësuesit është festë jo vetëm për Mësuesit, por edhe për nxënës e studentët dhe për qytetarët, që t’i kujtojnë me respekt mësuesit e tyre, por t’i kujtojnë edhe sakrificat e tyre prej ditëve të para të fillimit të shkollës shqipe. Mësuesi është si qiri: e shkrinë veten, për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve, thotë një urti anonime. Por, mësuesit  ishin edhe artistë të fushave të ndryshme, humanistë,  idealistë e propagandues që përhapnin idetë patriotike kombëtare.                                                                                *

Shumë njerëz kanë dëgjuar për betimin e Hipokratit, që e bëjnë mjekët kur diplomojnë, por pakkush e di se edhe mësuesit e kanë betimin e tyre (pedagogjik), që është patentuar për nevojat e UNESCO-s  nga viti 1966. Teksti i betimit të Mësuesit, i hartuar nga pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984), ka këtë përmbajtje:

“Betohem se:

*  Do ta kryej detyrën time me ndërgjegje dhe krenari,

* Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë   dhe kurrë nuk do të harroj se për fatin e tyre edhe unë  mbajë një pjesë të përgjegjësisë,

*Do ta mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit,

* Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqë të mi,

* Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjitha të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim,

* Këtë betim e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nderë.

   Betohem!”

*

Në Ditën e Mësuesit i kujtojmë mësuesit tanë prej ditës së parë të shkollës. I kujtojmë me respekt edhe mësuesit e të gjithë brezave dhe i falënderojmë ata për  punën e vyeshme e të rëndësishme që kanë bërë për arsimimin tonë kombëtar, në kushte të vështira e me rrezik. Edhe personalitetet me gradat më të larta profesionale e shkencore, të çfarëdo profili e pozite që kanë arritur, i kujtojnë me respekt mësuesit e vet të parë dhe të gjitha periudhave të arsimimit të tyre.

Urime e gëzuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit, të dashur mësues shqiptarë kudo që punoni e jetoni!