Roveri i agjencisë hapësinore amerikane, Perseverancë, ka shpluhurosur rrotat e tij dhe ka nisur udhëtimin e parë të saj në tokën marsiane.
Sidoqoftë, ai nuk shkoi shumë larg dhe përshkoi në total vetëm 6.5 metra. Por ekspertët e NASA-s thonë se ky ishte një moment domethënës.
“Ndërsa roveri po vazhdon të bëjë shumë kontrolle inxhinierike, në momentin që ai nis të lëvizë ne mund ta konsiderojmë veten eksplorues të sipërfaqes së marsit”, tha shkencëtarja e NASA-s Katie Stack Morgan.
Kanë kaluar dy javë tashmë që kur roboti një tonësh i NASA-s bëri uljen e tij dramatike në planetin e kuq. Inxhinierët kanë kaluar kohë duke programuar mjetin dhe sistemet e tij shumë komplekse, përfshirë instrumentet që ai mban dhe krahun robotik.
Të gjithë, sidoqoftë, kanë pritur me padurim që Perseverancë të fillojë lëvizjen. E kjo ndodhi të enjten. Roboti eci përpara për pak metra, u kthye në një kënd 150 gradësh dhe më pas, eci edhe pak mbrapsht. Mund të shohim gjurmët që rrotat kanë lënë në mars. Nuk mendoj se mund të jemi më të lumtur se kaq – thanë inxhinierët.
Perseverancë u ul në një krater afër ekuatorit të marsit, të quajtur Jezero, për të kërkuar atje prova të një jete në të shkuarën. Ai do të eksplorojë rreth 15 km vitin e ardhshëm marsian, që është ekuivalent me dy vite në tokë.