Të premten në Institutin Albanologjik të Prishtinës është mbajtur tryeza përkujtimore për simbolin e qëndresës shqiptare, Adem Demaçin, në 85-vjetorin e lindjes.
Në këtë tryezë ishin të pranishëm edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe lideri i LV-së Albin Kurti.
Ali Ahmeti ka thënë se tryeza e sotme po mbahet bashkë me shokë e dashamirë, miq dhe vlerësues të jetës dhe veprës së ikonës së rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi.
“Baca Adem ishte frymëzues për të gjithë ne dhe lum ai që e përjetoi shtetin e Kosovës pas një jete të tërë dedikuar kombit”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Demaçi është veprimtari më unik që ka pasur kombi shqiptar.
“Të gjithë e kemi njohur si të pathyeshëm dhe pa lodhshëm. Ai kurrë nuk është stepur prej frikës, e as lodhur prej padrejtësisë. Ai ishte një vetëmohim me paramendim. Është veprimtari më unik që kemi pasur dhe më autentik që mundesh ta imagjinosh”, ka thënë Kurti.
Kjo tryezë është organizuar nga Këshilli organizues i “Pranverës shqiptare 1981”.