Keni provuar të hiqni dorë nga pirja e duhanit, por nuk keni mundur të ia dilni? Më poshtë gjeni disa nga mënyrat që kanë pasur efekt te shumë njerëz
Hiqni dorë tani, jo nesër
Duhanpirësit që përpiqen të reduktojnë sasinë e cigareve që pinë kanë më pak shanse ta lënë përfundimisht se ata që thjesht heqin dorë një herë e mirë. “Problemi me lënien e cigares, është se mund ta bësh dhe nesër, dhe pasnesër,” thotë Paul Aveyard, një pedagog i mjekësisë në University of Oxford. “Çelësi i suksesit është të zgjidhni një ditë dhe ta lini vërtet atë ditë.” Truri i mëson dhe i harron paternat e varësisë, prandaj në momente tundimi, duhet të rezistoni. “Nëse pini një cigare herë pas here, thjesht po zgjasni agoninë.”
Mos u trembni nga nikotina
Një sërë zëvendësimesh, për shembull çamçakëza, ngjitëse, sprucator me nikotinë, funksionojnë më mirë se një zëvendësim i vetëm. Mos u trembni nga nikotina. Një ngjitëse në lëkurë është minimumi që mund të bëni, por mund t’ju nevojitet dhe diçka që funksionon më shpejt kur të tundoheni.
Provoni cigaret elektronike
Nëse ngjitëset me niktonë nuk funksionojnë, provoni cigaret elektronike. Një studim i kohëve të fundit doli në përfundimin se janë dy herë më efektive për të lënë cigaren, në krahasim me metodat e tjera. Cigaret elektronike tymosen si cigare normale, të japin diçka për të bërë me duart dhe janë më pak të dëmshme se cigaret normale.
Kërkoni ndihmë
Qoftë të mjeku, te numri i shkruar në shumicën e paketave apo te miqtë e familja. Nëse keni nevojë për motivim, bëni mirë ta gjeni.
Shmangni ngacmuesit
Çdo duhanpirës ka diçka që e bën për cigare. Shmangini. Ndryshoni rutinën, stilin e jetesës, ç’të jetë e nevojshme që kjo dëshirë të mos ngacmohet nga faktorë të jashtëm. Zakonisht, njerëzit tymosin në momente të caktuara, para apo pas një ndodhie specifike. Nëse arrini ta thyeni këtë rutinë, keni bërë një hap para.