Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, u ka bërë thirrje vendeve të pasura që të mos bëjnë blerje shtesë të vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) pasi mund të pengojnë përpjekjet për të filluar vaksinimet në vendet e varfra dhe në ato me të ardhura të mesme.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit të tij virtual me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, shefi i OBSH-së përshëndeti premtimet e fundit financiare nga vendet G7 për iniciativën COVAX të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB), por theksoi se ata po përballen me vështirësi në marrjen e vaksinave nga prodhuesit.
“Edhe nëse keni para, nëse nuk mund t’i përdorni paratë për të blerë vaksina, të keni para nuk do të thotë asgje”– tha Tedros, duke shtuar se ai ka informuar presidentin gjerman për problemet me të cilat përballen.
“Disa vende me të ardhura të larta aktualisht po u afrohen prodhuesve për të siguruar më shumë vaksina, gjë që ndikon në marrëveshjet me mekanizmin COVAX. Dhe madje shuma që ishte caktuar për mekanizmin COVAX u reduktua për shkak të kësaj”– tha Tedros.
Tedros u bëri thirrje vendeve me të ardhura të larta që para se të bëjnë ndonjë kërkesë për vaksina nga ndonjë prodhues të vaksinave të sigurohen se blerjet e tyre shtesë nuk do të minojnë marrëveshjet e bëra me mekanizmin COVAX.
Ai tha se politikanët në vendet e pasura duhet t’u shpjegojnë qartë votuesve të tyre se fillimi i vaksinimit në vendet më të varfra ose në zhvillim është në interes të të gjithëve.
“Ata duhet të flasin me zonat e tyre elektorale dhe t’u thonë se mënyra më e mirë për t;ju mbrojtur nuk është vetëm vaksinimi i tyre, por edhe vaksinimi i pjesës tjetër të botës, ndarja e vaksinës me pjesën tjetër të botës”– theksoi Tedros.
Sipas tij, nëse ky virus nuk mposhtet “kudo”, atëherë ai nuk do të mposhtet “globalisht”.
Javën e kaluar, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi kundër pabarazisë globale të vaksinave, duke theksuar se dhjetë vende me të ardhura të larta deri më tani kanë administruar 75 për qind të të gjitha vaksinave, ndërsa mbi 130 vende nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës deri më tani.
COVAX, nisma e udhëhequr nga OKB-ja që po financon vaksinat për vendet në zhvillim dhe vendet e varfra, po planifikon të fillojë shpërndarjen e vaksinave më vonë këtë muaj.
Nisma deri më tani ka nënshkruar kontrata me prodhuesit AstraZeneca, BioNTech dhe Instituti Serum i Indisë, si dhe nga fundi i këtij muaji deri në mes të vitit 2021 planifikon të shpërndajë deri në 337 milionë doza të vaksinës në mbi 130 vende.