Sërbia lidere në rajon për vaksinim, u furnizua edhe nga AstraZeneca

Kontingjenti i parë i 150,000 dozave të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca, ka arritur në mëngjesin e së dielës në Serbi. Aeroplani me vaksina, që ka ateruar në Aeroportin e Beogradit “Nikolla Tesla”, është pritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka deklaruar se sigurimi i këtyre vaksinave është mundësuar nga bisedimet trepalëshe në mes të Serbisë, Britanisë së Madhe dhe Indisë, andaj në aeroport janë parë edhe përfaqësuesit e këtyre shteteve në Serbi, Sian McLeod dhe Vijay Kumar, respektivisht.

“Faleminderit për mbështetjen e Serbisë dhe për mundësinë që të importojmë nga India. Ky moment është me shumë rëndësi për ne,” ka thënë Vuçiq.

Ambasadorja britanike, Sian McLeod, ka thënë se është e lumtur që sheh arritjen e vaksinave të kompanisë AstraZeneca në këtë shtet.

“Vaksinimi i botës do të thotë punë globale. Unë pres që këto vaksina të jenë në dispozicion në gjithë botën së shpejti,” është shprehur ajo.