Arbëria në zi – Ndahet nga jeta arbëreshi i njohur Zef Kakoca

Shën Mitër (Kalabri), 21 shkurt 2021
Shuhet Prof. Pino Kakoca, miku i veçantë i Strugës

Nga Xhemi HAJREDINI

Të dashur miq!
Dje, në spitalin “Germaneto” të Katanxaros (Kalabri), u nda nga jeta Prof. Pino Kakoca (Pino Cacozza). Arbëria dhe familjarët humbën njeriun më të shtrenjtë: Maria – bashkëshortin, Nikoleta – atin e çmuar; Antonieta – vëllain, Nikola, që e shoqëronte gjithkund, – dajën e tij të dashur, nxënësit – pedagogun e adhuruar, Struga – mikun dhe ambasadorin e saj të gjithanshëm; shoqëria shqiptare – një njeri të mrekullueshëm, një aktor, kantautor, shkrimtar, poet, gjuhëtar, këngëtar, një njeri me vlera të jashtëzakonshme.
Pino, pasi nuk ia doli ta mposhtë sëmundjen, dje ndërroi jetë ndërsa sot pas një ceremonie varrimore do të ngjitet në qiell, duke i lënë një trashëgimi të çmuar kulturës arbëreshe.

Zef Kakoca

Kush ishte Zef Kakoca (Pino Caccozza)?
Prof. Pino Kakoca ishte një figurë e madhe e kulturës së lashtë arbëreshe. Ai lindi më 27 shtator 1957 në Shën Mitër (San Demetrio Corona), Kalabri. Pasi u shkollua në Liceun e njohur të Shën Adrianos në Shën Mitër, ku ligjëronte edhe i madhi Jeronim De Rada, ai ndoqi dhe përfundoi studimet për gjuhë dhe letërsi frënge si dhe gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Universitetit Rexho Kalabria në Kozencë (Kalabri).
Ai ka kontribuuar aktivisht në fushën e arsimit, kulturës dhe ruajtjen e traditave të moçme arbëreshe në Kalabri dhe më gjerë. Është autor i dhjetra publikimeve kushtuar aktiviteteve kulturore arbëreshe në Kalabri. Ka qenë njohës i frëngjishtes, anglishtes, italishtes dhe gjuhës mëmë (gjuhës shqipe). Pino është autor i disa përmbledhjeve poetike dhe kantautor i qindra këngëve arbëreshe.
Si autor, kompozitor dhe këngëtar, për 6 vjet me radhë, e ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Këngëve Arbëreshe. Në Shqipëri ka udhëtuar shpesh për të ndjekur disa kurse pranë Universitetit të Tiranës dhe për të marrë pjesë në Festivalin e njohur të Gjirokastrës.
Krijimtaria e tij letrare ka gjetur vend edhe në Antologjinë e poezisë bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë, përgatitur nga Prof. Anton Nik Berisha.
Ai i mëshonte vazhdimisht thënies “Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes”. Ai bënte teatër në të gjitha vendbanimet arbëreshe në Itali duke rrëfyer udhëtimin arbëresh, duke thënë se “Jemi gjaku i një zëmre”, “Jemi kalorës të detit”. Pino i ka kënduar Kosovës, Shqipërisë, Arbërisë, Strugës që e deshte aq shumë.
Më 21 nëntor 2008, me recitalin “Rrënjët e Arbërisë” ai mori pjesë në një manifestim solemn në Tetovë, kushtuar 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit. Pasi u njoha me karrierën e tij artistike ne filluam të komunkojmë. Ishte i thjeshtë, i qeshur dhe i komunikueshëm. E ftoja shpesh të vi në Strugë që të marrë pjesë në Festivalin e këngëve dhe valleve të përpunuar “Këngë Jeho” ose në Festivalin e mbrëmjeve Strugane të poezisë, sepse atëherë më qëlloi të jem edhe Udhëheqës i Departamentit për Arsim dhe Kulturë në Komunën e Strugës edhe anëtar i Këshillit Artistik të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë.
Përgjigjen se kishte vendosur të vi në Strugë ma dha në fund të vitit 2009 duke më shkruar: “Për gjithë ju një vit i ri pjot me hare e me suksese. Shpresonj se viti çë po niset do të sjell edhe recitalin tim ati në Strugë. Do t’ishte një kënaqësi e madhe për mua. Me shëndet!”
« Gëzuar nga mot, vëlla! Pasi t’i kalojmë festat e Vitit të Ri 2010 dhe nëse dëshironi të merrni pjesë në Festivalin poetik « Mbremjet Strugane të Poezise » ne gusht të vitit 2010, filloni me përgatitjet dhe mirë se të vini ! Ju pres të më shkruani dhe të ma vërtetoni ardhjen. Gëzuar edhe një herë! » – ishte përgjigjja ime. Erdhi, si i ftuar, në Festivalin Ndërkombetar Poetik ne Strugë. Qëndroi në Strugë nga data 19 gusht deri më 22 gusht 2010. Gazetat shkruanin: « Një arbëresh në Festivalin ndërkombetar të poezise në Strugë.” Recitali i tij “Rrënjët e Arbërisë” për rreth 30 minuta në Festivalin “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” u prit me ovacione dhe shumë interes si nga shqiptarët ashtu edhe nga të huajt. Që atëherë unë dhe struganët nuk jemi ndarë më nga Zef Kakoca (Pino Cacozza).

Zef Kakoca dhe Xhemi Hajredini

Po në vitin 2010, gjatë muajit dhjetor me një grup nxënësish dhe mësimdhënësish nga Gjimnazi “Dr. Ibrahim Temo” – Strugë, sipas një programi të detajuar nga Pino Kakoca, vizituam Shën Mitrin dhe katundet përqark. Në vitin 2011, duke pasur Pinon bashkëpuntor binjakëzuam dy gjimnazet, atë të Strugës me Liceun e Shën Mitrit, për të vazhduar në vitin 2014 me binjakëzimin e Komunës së Strugës me Lidhjen e Komunave të Arbërisë. Urat e komunikimit Strugë – Arbëri vazhdojnë falë kontributit të pamohueshëm të Pino Kakocës.

Tani që Arbëria është në zi dhe ky ambasador i kulturës arbëreshe nuk është më, do të na duhet të mësohemi me këtë fakt dhe të jetojmë me veprat e tij artistike (poezitë, këngët, romanet etj.)
Pusho në paqe e ndriço në qiell, Pino vëlla!