Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e gjashtëdhjetenjëtë ka sjellë vendim për plotësimin e listës së emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore të Shkupit. Nga 571 emra e ngjarje gjithsej, 100 janë emra të personaliteteve të shquara shqiptare, që kanë dhënë kontribut në sfera të ndryshme, si çështjet kombëtare, në letërsi, këngë e sport si dhe emra rrugësh të ngjarjeve historike kombëtare.
Ndër emrat më të shquar që parashihet të mbajë një rrugë e kryeqytetit, është ai i Ali Pashë Tepelenës (1741-1822), pashait shqiptar të Janinës. Nga kjo epokë e historisë, një rrugë do të emërtohet edhe sipas emrit të arkitektit shqiptar në Perandorinë osmane Sinan Mimar (1489-1588). Po ashtu edhe emri i Ali Mehmet Pashës (1769-1849), shqiptarit nga Egjipti, do të qëndojë në një nga rrugët e Shkupit.
Një rrugë do të mbajë emrin e udhëheqësit ushtarak të shkeullit të XV dhe ligjvënësit Lekë Dukagjini (1410-1481). Dy rrugë do të pagëzohen me emrat e shkrimtarëve të parë shqiptarë që njeh historia, atë të peshkopit të Shkupit dhe i Prizrenit Pjetër Bogdani (1630-1689) si dhe Gjon Buzuku (1499-1572), autor i “Mesharit” veprës së parë shqip.
RILINDASIT në rrugët e Shkupit
Shumica e emrave shqiptarë që do të mbajnë rrugët e Shkupit janë të rilindasve:
Naum Veqilharxhi (1797 – 1846), i cili më 1844 krijoi një alfabet krejt origjinal për gjuhën shqipe;
Konstantin Kristoforidhi (1830-1895), rilindës dhe shkrimtar;
Naim Frashëri (1846-1900), poet, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. Një nga personazhet më të rëndësishëm të rilindjes shqiptare;
Jeronim De Rada (1814-1903), shkrimtar e rilindës;
Luigj Gurakuqi (1879-1925), rilindës dhe drejtori i parë i Shkollës së pedagogjisë në Elbasan;
Gjerasim Qiriazi (1858-1894), rilindas, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, prift protestant;
Gjergj Qiriazi (1868-1912), rilindas, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, shkrimtar;
Parashqevi Qiriazi (1880-1970), mësuese, pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit dhe Konferencën e Parisit;
Sevasti Qirijazi, një nga gratë e para të arsimuara shqiptare dhe pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit;
Petro Nini Luarasi (1865-1911), mësues i shkollës së parë shqipe;
Çerçiz Topulli (1880-1915), patriot dhe veprimtar;
Bajo Topulli (1868-1930), patriot dhe veprimtar;
Jashar Bej Shkupi (1860-1919), ka qenë kryetar i degës së Shkupit të Lidhjes së Prizrenit dhe udhëheqës i Shkupit në 1880/1881.
Ibrahim Temo (1865-1939), rilindas dhe patriot, shkrimtar;
Aleksandar Stavre Drenova– Asdreni (1872-1947), poet dhe shkrimtar, autor i himnit shqiptar;
Mithat Frashëri (1880-1949), diplomat, rilindas dhe udhëheqës i Kongresit të Manastirit, diplomat.
Ali Hafiz Korça (1873-1956), udhëheqës fetar dhe patriot;
Lazër Mjeda (1869-1935), frift katolik.
PATRIOTË E LUFTËTARË
Një rrugë do të mbajë emrin e delegatit të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (1820-1887). Dy të tjera do të emërtohen me emrin Aga Matkaliu Ibrahim, anëtar i degës së Shkupit në Lidhjen e Prizrenit dhe Halim Shukut, delegat në Lidhjen e dytë të Prizrenit, kryetarit të Komunës së Ferizajit.
Një rrugë do të pagëzohet me emrin e gruas edhe bashkëpunëtores së Hasan Prishtinës, Igbale Çerkezi-Prishtina, ndërsa nuk është harruar as patrioti dhe veprimtari Avni Rustemi (1895-1924) si dhe Emin Bojana, pjesëmarrës në kryengritjen e Dervish Pashës.
Edhe emrii Ali Shefqet Shkupit (1883-1953) do të emërtojë një rrugë të Shkupit, qytet ku edhe ka lindur. Ka qenë ushtarak shqiptar i ushtrisë osmane dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë i asaj shqiptare. Është i pari Kryetar i Shtabit Madhor të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare (1913).
Adem Bulku është një emër tjetër që do të gëzojë ndonjë rrugë e Shkupit. Ai ka qenë veprimtar e mbrojtës i popullates lokale të Krahinës së Dervenit, ndërmjet dy luftrave botërore. Adem Bulku ka kaluar mbi njëzet vjet të jetës i arratisur nga pushteti turk, bullgar e serb. Kishte formuar çetën kaçake që vepronte në rrethet e Tetovës e të Shkupit.
Kalosh Dani është emri i patriotit tjetër të cilin do ta mbajë një rrugë e kryeqytetit. Ai ka marrë pjesë në luftën e Karbunicës, 1903, bashkë me babain Dan Celiku, në kuadër të çetës së Sefer Zajazit. Veprimtaria e Kaloshit nuk ka qen e kufizuar vetëm ne trevën e Kërçovës, çeta e tij qysh nga viti 1919 vepronte ne një territore te gjere ne Maqedoni, saqë ne veri arrinet deri ne Shkup.
Edhe emrat e Kadri Bazit (1880-1943) dhe Sulë Hotlës (1875-1947) do të përjetësohen në dy rrugë të Shkupit. Ata kanë qenë patiotë e veprimtarë në rajonin e Karadakut të Shkupit.
NACIONALÇLIRIMTARËT SHQIPTARË
Disa prej rrugëve do të mbajnë emra të partizanëve shqiptarë që kanë qenë pjesëmarrës në Luftën nacionalçlirimtare.
Nexhat Agolli (1914-1949) komisar politik në i Brigadën e Katërt Maqedono-Shqiptare. Delegat i zgjedhur në Mbledhjen e dytë të KAÇPJ, anëtar i KAÇKM-së dhe Nënkryetar i dytë i Presidiumit të KAÇKM-së. Emërohet gjithashtu Ministër i Politikës Sociale në qeverinë e parë të DMF-së. Në vitin 1948 pas Rezolutës së IB, ai u dënua dhe u burgos.
Qemal Agolli (1918-1948), pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, delegat nga Maqedonia në Mbledhjen e dytë të KAÇKM-së, delegat në Mbledhjen e parë të KAÇKM-së. Pas çlirimit, ai ishte anëtar i Bordit Kryesor të FPÇ, i dënuar në 1948 për veprimtari armiqësore kundër FNRY-së së atëhershme.
Fadil Hoxha (1916-2001), pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, politikan. Kryetar i parë i Këshillit Ekzekutiv të Krahinës autonome të Kosovës dhe Metohisë (1945-1963) dhe anëtar i Presidiumit të Jugosllavisë (1974- 1984).
VEPRIMTARËT PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE
Nuk janë harruar as ata që jetën ia kanë kushtuar çështjes kombëtare shqiptare, si në Kosovë po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.
Një rrugë e Shkupit do të mbajë emrin eintelektualit dhe politikan shqiptar Ibrahim Rugova (1944-2006). Presidenti i parë i partisë më të madhe politike shqiptare – Bashkimi Demokratik i Kosovës, president i Republikës së Kosovës dhe president shumëvjeçar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Еdhe emri i Adem Demaçi, shkrimtarit dhe politikanit kosovar do të përjetësohet në një nga udhët e kryeqytetit. Po ashtu edhe ai i Mehmet Gegës (1921-2006), aktivistit dhe patriotit, pjesëmarrjës në demonstratat në vitin 1968.
Emra të tjerë që do të mbajnë rrugët në Shkup janë:
Ukshin Hoti ( 1943-1999 ), veprimtar, politikan, filozof.
Afrim Zhitia (1965-1989), aktivist dhe patriot. Ishte një nga aktivistet dhe organizatorët e Lëvizjes Popullore te Kosovës të viteve të 80-ta.
Fahri Fazliu, (1963-1989), veprimtar dhe patriot.
Latif Hasani, veprimtar humanist gjatë viteve ‘70-‘80, të shekullit të kaluar. Kontribut të madh ka dhënë në ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe kombëtare.
Halil Latifi, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kontribues i ngritjes shoqërore të popullit shqiptar.
Krahas atyre që gjithë jetën e dhanë për çështjen kombëtare, anash nuk janë lënë as heronjtë e penës e të këngës. Rrugët e Shkupit do të mbajnë emrat e disa prej shkrimtarëve, artistëve e këngëtarëve që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare bashkëkohore.
SHKRIMTARË, POETË E GAZETARË
Dritëro Agolli (1931-2017), shkrimtar, politikan dhe kryetar i Lidhjes Shqiptare të Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Eqerem Çabej (1908-1980), shkrimtar.
Fatos Arapi (1930-2018), poet shqiptar, fitues i Kurorës së artë në Mbrëmjet e Poezisë në Strugë në vitin 2008.
Teki Derveshi (1943-2011), shkrimtar.
Ernest Koliqi (1903-1975), shkrimtar e Ministër i arsimit në Shqipëri.
Lasgush Poradeci (1899-1987), poet dhe shkrimtar.
Qerim Memedali Hoxha (1924-1991), shkrimtar për fëmijë, publicist dhe gazetar.
Sefer Musliu (1948-2006), dokumentarist dhe gazetar në RTM.
ARTISTË E KËNGËTARË
Adem Mikollovci (1939-2020), artist, deputet në Kosovë.
Lorenc Antoni (1909-1991), kompozitor, dirigjent dhe etnomuzikolog shqiptar. Lindur në Shkup.
Omer Kaleshi, Ka lindë më 1932, është piktor i njohur shqiptar me origjinë nga Kerçova.
Nexhmije Pagarusha (1933-2020), soprano/këngëtare.
Avni Mula (1928-2020), Kompozitor dhe këngëtar i operës – bariton.
Hanife Sejfula Reçani (1938-2017), këngëtare.
Aleksandër Prosi (1920-1985), aktor.
Syrija Imami (1927-2011), Pedagog, profesor dhe redaktor i muzikës në Radio Televizionin e Maqedonisë. Kontributi i tij në pasurimin e fondit muzikor me muzikë shqiptare në Radio Televizionin e Maqedonisë është i madh.
Sefedin Nuredini (1953-2017), artist.
Fadil Bekteshi (1955-1998), shkrimtar, gazetar dhe publicist. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Llopat, rrethi i Kumanovës, ndërsa arsimin e lartë e mori në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, punoi dhe veproi në Shkup. Ai punoi si gazetar në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, dhe gjithashtu ishte redaktor i revistës kulturore dhe artistike “Doruntina”. Ai është autor i disa librave me tregime dhe poezi.
Gani Grubi, këngëtar i këngëve tradicionale shqiptare.
Kadri Roshi (1924-2007), aktor teatri.
Leze Tomi, Aktore e njohur në teatrin kombësive në Shkup.Ka luajtur rolet kryesore në shum shaqje në teatrin e Shkupit dhe rajonit.
Agron Berisha (1955-2001), legjendë e muzikës rok që la gjurmë në historinë e muzikës moderne.
SPORTISTË
Mentaz Allajbegu (1946-2014), i cili ka dhënë kontribut të madh në arsimimin e brezave të tërë, veçanërisht në edukimin sportiv, duke formuar klube të shumta në mundje, basketboll, volejboll, etj., dhe si rezultat i punës së tij, atletët u kthyen me medalje nga garat dhe Lojërat Olimpike botërore dhe Evropiane.
Enver Idrizi, i lindur në Saraj. Është sportist i njohur dhe kampion bote në karate.
Shaban Tërstena, sportist i dalluar dhe fitues i medaljes olimpike i shumë garave ballkanike, evropiane, mesdhetare dhe botërore. I lindur në qytetin e Shkupit
POLITIKANË, MËSUES E PRIJËS FETARË
Abdurrahman Aliti (1945-2013), politikan shqiptar, deputet, jurist dhe ambasador i Maqedonisë në Republikën e Bullgarisë. Ai ishte kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik dhe nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Dom Gaspër Gjini, studiues, priftë katolik, zëvendës ipeshkv i Ipeshkvisë Shkup-Prizren dhe autorë i librit “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj“. Ky emër parashihet në dy rrugë, në të dytën në listën e Qytetit të Shkupit shkruhet vetëm “Gaspër Gjini (1930-1985) prift, historian”.
Ibrahim Krosi (1942-2012, Rashçe), doktori i parë i shkencave në Derven, Shkup.
Ataullah Kurtishi – Ata, Hoxha, themelues i medresesë “Medah” në vitet e 30- ta.
Shaban Rameti, Mësuesi i parë në derven, Shkup.
Asllan Selmani (1945-2011), shkencëtar.
Ahmet Hajdari, përpilues i teksteve shkollore.
Rafiz Hoxha (1934-2006), hafiz dhe udhëheqës fetar.
FAMILJA E NËNË TEREZËS
Katër rrugë do të mbajnë emrat e familjarëve të Nënë Terezës, shkruan portali tv21.tv. Më saktësisht, gjyshes së saj Age Bojaxhiut, gjyshit prift e mësues, Lazër Bojaxhiu (1908-1981), nënës Drane Bojaxhiu (1889 – 1972) dhe babait Nikollë Bojaxhiu (1874-1919).
HERONJ TË KOHËVE MODERNE
Nëpër rrugët e Shkupit së shpejti do të mund të hasni edhe emrat e atyre që me veprat e tyre lanë gjurmë në kohën tonë.
Parshihet që një prej rrugëve të mbajë emrin e humanistit e patriotit Imri Elezi.
Një tjetër rrugë do të emërtohet Muhamed Ali Jashari, djaloshit shqiptar i cili më 8 prill 2011 ndërroi jetë duke mbrojtur shokun e tij maqedonas gjatë një përleshjeje në shkollën e tyre. “Trimëria e tij është një borxh ndaj shoqërisë dhe një akt i rrallë i guximit njerëzor” shkruhet në vendimin e Qytetit të Shkupit.
Nuk harrohet as emri i Bajram Miftarit, zjarrfikësit i cili humbi jetën në krye të detyrës.
Ismail Krifcapo ashtu do të jetë një prej emrave me të cilët do të pagëzohet një rrugë e Shkupit. Ai ishte veprimtar i shoqërisë civile në Maqedoni, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e një shoqërie të barabartë.
Një rrugë e Shkupit pritet të emërtohet Enver Maliqi (1952-2020), i cili ishte biznesmen, humanist, politikan, anëtar i Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe zëvendës kryetar i Qytetit të Shkupit në periudhën 2017-2020.
Edhe emri i Remzi Hoxhës do të jetë në një rrugë të Shkupit, qytet ku ai ka lindur. “Ekzistojnë rrugë me emrin e tij në Ferizaj, Kaçanik dhe Prishtinë, do të ishte një nder për Shkupin që të kishte një rrugë me emrin Remzi Hoxha”, shkruajnë nga Qyteteti i Shkupit.
Në një rrugë tjetër do të përjetësohet edhe emri i Zahir Xhaferi, veprimtar, humanist e kontribues në arsim, kulturë dhe në shoqërinë në përgjithësi qytetin e Shkupit.
ATA QË NUK HARRUAN RRËNJËT
Janë katër emra të shquar intelektualësht me prejardhje shqiptare që do të qëndrojnë në rrugët e Shkupit:
Elena Gjika (1828-1888), rilindëse, aktiviste dhe feministe;
Karl Gega, projektues i hekurudhës në Semering, vepër e cila e bëri të pavdekshëm dhe që cilësohet si njëri ndër personat austriak më të theksuar. Ai është me prejardhje shqiptare, familja e tij vjen nga veriu i Shqipërisë dhe kanë emigruar në Venecia. Karll Gega është i lindur në Venecia. Në moshën 17 vjeçare u bë doktor i shkencave matematikore në Universitetin në Padovë. Imazhi i tij ka qenë në monedhën e 20 shilinga në Austri.
Antonio Gramshi (1891-1937), një nga shkrimtarët më me ndikim në studimet për kulturë, falë koncepteve që ai i ka zhvilluar, siç janë hegjemonia, intelektualiteti organik dhe popullariteti kombëtar. Anëtar aktiv i Partisë Komuniste të Italisë, anëtar i Internacionales komuniste, luftëtar kundër fashizmit. Nga viti 1926 deri në vdekjen e tij, ka qenë në burg, ku shkruar librat: “Shënime burgu” dhe “Letra nga burgu”, të botuara pas vdekjes.
Mateja Matevski (1929-2018), akademik, рoet, kritik letrar dhe teatri, eseist, përkthyes. Ka mbaruar Fakultetin Filologjik në Shkup. Ka punuar në Radio Televizionin Maqedonas si gazetar, redaktor, drejtor i përgjithshëm. Ishte Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë në periudhën 2001-2004. Përmbledhjet e tij më të njohura me poezi janë: “Shirat”, “Perunika”, “Ekuinoksi” etj. Është fituesi i “Kurora e Artë” të SPE-së.
NGJARJE
Krejt në fund, po ashtu parashihet që një rrugë e Shkupit të quhet “Shqipëria”, ndërsa një tjetër “Beteja e Torviolit, një nga betejat më të mëdha të Skënderbeut. Po ashtu një prej rrugëve do të quhet “Kongresi i Manastirit” ndërsa një tjetër “22 Nëntori”. Një rrugë do të quhet “LPK”, në kujtim të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ndërsa edhe emri i gazetës “Flaka e Vëllazërimit” pritet që shpejti të gjendet në njërën prej rrugëve të kryeqytetit.