Kompania bioteknologjike amerikane “Novavax” është zotuar të vërë në dispozicion të programit ndërkombëtar të vaksinimit antiCOVID-19 1,1 miliardë doza të vaksinës së saj kandidate, njoftoi sot Aleanca për Vaksinat GAVI.
GAVI po bashkëdrejton me OBSH-në dhe Koalicionin për Inovacione në Gatishmërinë Epidemike (CEPI), sistemin COVAX, që synon të sigurojë këtë vit vaksina antiCOVID-19 në 20% të popullsisë së afro 200 vendeve dhe territoreve pjesëmarrëse.
COVAX tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Institutin Serum të Indisë (SII) për 200 milionë doza të vaksinave “AstraZeneca/Oxford” ose “Novavax”, me një mundësi për 900 milionë doza shtesë, raporton ATSh.
“I kombinuar me këtë kontratë, memorandumi i ri i mirëkuptimit, i nënshkruar me “Novavax” do të mundësojë që mekanizmi COVAX të ketë 1,1 miliardë doza të vaksinës kandidate NVX-CoV2373 kundër COVID-19″, tha GAVI.
Ky Memorandum Mirëkuptimi është një hap thelbësor për të siguruar që dozat e vaksinave të vihen në dispozicion për të gjitha vendet dhe ekonomitë pjesëmarrëse në mekanizmin COVAX, pasi vaksina të miratohet nga autoritetet dhe të licencohet nga OBSH.