Zyrtarët shëndetësorë në botë janë në garë për të vaksinuar mjaftueshëm njerëz, në mënyrë që të ndalet përhapja e sëmundjes COVID-19, por çfarë nënkupton “mjaftueshëm” në këtë aspekt, është ende një gjë e debatueshme.
Qëllimi është që të arrihet ajo që njihet si “imuniteti i tufës”, që nënkupton se mjaftueshëm njerëz do të jenë imunë ndaj COVID-19 ose përmes vaksinimit ose nga infektimet paraprake, në mënyrë që të ndalohet përhapja e pakontrolluar e koronavirusit të ri, shkruan Associated Press.
Imuniteti i tufës nuk e bën asnjë person imun dhe shpërthimet e virusit ende mund të ndodhin. Por, imuniteti i tufës nënkupton se virusi nuk përhapet aq lehtësisht nga një person te një person tjetër, duke ndihmuar që të mbrohen nga infektimi eventual personat më të ndjeshëm.
Askush nuk e di me saktësi cili është pragu për imunitetin e tufës për koronavirusin e ri, edhe pse shumë ekspertë thonë se është 70 për qind e më shumë. Por, edhe shfaqja e varianteve të reja të virusit, e ka komplikuar arritjen e imunitetit të tufës.
Më poshtë mund të lexoni se çfarë dihet deri më tani për virusin dhe imunitetin e tufës:
Si llogaritet pragu për imunitetin e tufës?
Është një formulë që bazohet në atë se sa ngjitës është virusi – ose mesatarisht sa persona mund ta marrin virusin nga një person i infektuar.
Por, kjo llogaritje ofron vetëm një objektiv të gjerë prej kur mund të ketë një rënie të madhe të përhapjes së virusit. Po ashtu, shifrat mund të ndryshojnë varësisht nga rajonet.
“Nuk është se 64.9 për qind është e tmerrshme dhe 70.1 për qind është fantastike”, thotë doktor Walter Orenstein, ekspert i sëmundjeve ngjitëse në Universitetin Emory.