Danimarka prezanton “pasaportat për Covid-19”

Ishte një dimër i gjatë në Danimarkë. Shumë po ndihen se është koha për të kthyer pas jetën në normalitet. A mund të jetë kjo përgjigjja? Një pasaportë elektronike për Covid-19, duke zbutur kufizimet për ata që janë vaksinuar… Ky shtet planifikon që të ketë në dispozicion dozat për të gjithë 5,8 milionë banorët e tij deri në qershor. Përpara kësaj, mund të jetë një nga vendet e para në botë të zbulojë një skemë për të vaksinuarit, ndoshta në fund të këtij muaji… Është e gjitha pjesë e një plani për të rihapur biznesin e turizmit fillimisht, me një nxitje nga sektori i akomodimit dhe argëtimit që do të jenë pjesë e zgjidhjes, shkruan CNNa2.

“Nëse nuk e filloni tani dhe kur Covid-19 të jetë larguar nga shoqëria, atëherë do të jetë tepër vonë. Pra, me këtë projekt, ky bashkëpunim i ngushtë midis qeverisë dhe biznesit në Danimarkë, ne jemi shumë të bindur se do të kemi një verë me gëzim, futboll dhe muzike”, thotë Lars Rimmer, nga Dhoma Daneze e Tregtisë.

“Pasaportat e Covid-it nuk janë diçka e re… Ideja ka qarkulluar që nga nisja e pandemisë… por gjetja e një mënyre për të aksesuar të dhënat duke i mbajtur ato të sigurta, do të jetë çelësi i rimëkëmbjes së tyre. Dy strategji janë në shqyrtim: njëra përdor një server në internet, tjetra është bazuar në “Blockchain”, një portofol digjital, të cilin zhvilluesit e tij në Kopenhagen po e përdorin aktualisht për të ruajtur informacione të varianteve të reja”, thotë Lars Rimmer, nga Dhoma Daneze e Tregtisë.

“Ne kemi hapur pasaportën Corona për të ruajtur të gjitha të dhënat përkatëse për Covid-19. Pra, janë rezultatet e testimit, mund të jenë rezultate të antigjenit, mund të jenë vaksina dhe mund të ketë çdo lloj vaksine të lidhur me mutacionet që kemi parë nga virusi”, thotë Carsten Storner, nga kompania IBM.

Kjo mund të duket shumë e thjeshtë, por biznesmenët kanë rezerva. “Unë nuk e di se si duhet të funksionojë, sepse ne duhet të shohim pasaportën gjatë gjithë kohës. Nuk duhet të jetë detyra e restorantit të kontrollojë nëse ata kanë pasaportën Corona. Unë nuk mendoj që të gjitha dyqanet dhe restorantet mund t’i dorëzoni detyrën për të kontrolluar pasaportën e Corona”, thotë Philip Helgstrand, pronar restoranti.

Po diskriminimi shëndetësor? Chelin Hansen ka nisur një peticion për të bllokuar në parlament aplikimin e kësaj pasaporte. Ajo thotë se do të ndajë popullatën në dy shtresa, dhe do ta bëjë më të vështirë për qytetarët që nuk duan të vaksinohen që të lëvizin në shoqëri.

Ministri i Jashtëm danez, Jeppe kofod, thotë se “kjo duhet të bëhet në një mënyrë që të respektojë privatësinë dhe gjithashtu sigurinë e të dhënave”. “Ne kemi një shoqëri shumë të digjitalizuar”, thekson ai, duke shtuar se sektori publik është më i digjitalizuari në botë, prandaj Danimarka mund ta bëjë atë. “Ne kemi sisteme për të ruajtur gjithashtu sigurinë e informacionit të individit”, përfundon ministri. Danimarka nuk është vendi i parë që merr në konsideratë këtë lloj teknologjie, veçanërisht në BE, ku liria e lëvizjes është thelbësore për bllokun. Në shtator, përpara zbulimit të vaksinës, Hungaria prezantoi të ashtuquajturën “pasaportë imuniteti”. Tani Greqia, Suedia dhe Polonia po planifikojnë dokumentet e tyre digjitale për Covid. Kushdo që ta bëjë i pari, mund t’iu japë shkas të tjerëve që të ngrenë padi.