Ligji për letërnjoftime i propozuar nga Lëvizja BESA ka hyrë në procedurë parlamentare dhe i njëjti pritet të miratohet nga ana e deputetëve. Me këtë propozim-ligj parashihet që përkatësia etnike të jetë element në formularin për letërnjoftim dhe të përfshihet në dokument.
Më herët, kishte një propozim-ligj për letërnjoftime, i cili nuk e përmbante grafën etnike dhe me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes BESA, i njëjti u tërhoq dhe u ndryshua me një ligj sintezë, i cili përmbante në të edhe grafën etnike. Me këtë ligj që pritet të miratohet së shpejti në Parlament, do të rregullohet edhe problemi rreth manipulimeve që bëhen gjatë punësimeve të rezervuara për shqiptarët.
Shpesh në konkurset në disa institucione, vendet e punës të rezervuara për shqiptarët i kanë zënë maqedonasit, sepse këta të fundit vetëm e vetëm që të punësohen, janë vetëdeklaruar shqiptarë. Ky boshllëk ligjor që ka qenë në të kaluarën e për të cilin nuk është bërë përpjekje të gjendet një zgjidhje, përfundimisht merr fund me Ligjin e ri për letërnjoftime ku do të vendoset edhe grafa etnike dhe nuk do të ketë hapësirë për manovrime. Ka pasur raste kur për t’ju përshtatur konkursit, qytetarët maqedonas janë vetë deklaruar edhe si turq, rom, boshnjak, vlleh e serb.