OBSH: Të përshpejtohet vaksinimi në Europë

Kreu i OBSH-së në Europë u bëri thirrje europianëve për të përshpejtuar fushatën e tyre të vaksinimit kundër COVID-19, në një intervistë, ndërkohë që laboratori amerikan Jonson&Johnson kërkon në SHBA autorizimin urgjent të vaksinës së saj në një dozë të vetme.

“Europa duhet të bashkohet për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 me mbështetjen e të gjithë laboratorëve”, theksoi sot drejtori i OBSH-së në Europë, duke pranuar se ishte i shqetësuar mbi rrezikun e varianteve në efikasitetin e vaksinave.

“Ne duhet të përgatitemi për mutacione të tjera problematike të virusit, veçanërisht duke rritur akoma më shumë gjurmimin, konfirmoi Hans Kluge, drejtor rajonal i organizatës, në një intervistë.

Në Bashkimin Europian, shkalla e popullsisë që ka marrë një dozë të parë mezi arrin në 2,5%, edhe nëse njoftimi nga disa laboratorë për një rritje të dërgesave të tyre ka ringjallur shpresat për një përshpejtim.

“Ne duhet të bashkohemi për të shpejtuar vaksinimin”, bëri thirrje drejtori rajonal i organizatës Hans Kluge.

Nëse situata duket më e vështirë sot sesa kur mbërritën vaksinat e para, kreu i OBSH-së Europë bëri thirrje për të qëndruar optimist.

“Unë jam i sinqertë. Unë mendoj se tuneli është pak më i gjatë nga sa kemi menduar në dhjetor, por do të jetë një vit më i menaxhueshëm sesa vitin e kaluar”, nënvizoi ai.