Covid-19 në Serbi, vaksinohen mbi 500 mijë qytetarë

Në Serbi deri tani më shumë se 508 mijë qytetarë e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 ndërsa 19 mijë janë rivaksinuar dhe afër 1 milion qytetarë kanë shprehur dëshirën për imunizim, deklaroi sot drejtori i Zyrës për Teknologjinë e Informacionit, Mihailo Jovanoviç, transmeton Anadolu.

“Rivaksinimi është një punë serioze logjistike dhe mesazhi për qytetarët është se në të njëjtën ditë kur ata morën vaksinën pas tre javësh duhet të marrin edhe rivaksinimin. Dy ditë para kësaj do të pranojnë mesazh dhe të shkojnë në vendin e njëjtë ku kanë pranuar dozën e parë”, tha Jovanoviç për Radiotelevizionin e Serbisë.

Ai po ashtu tha se do të hapen pika të reja në mënyrë që ata që marrin dozën e parë dhe ata që rivaksinohen të mos shkojnë në të njëjtat vende.

“Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, të gjithë ata që janë vaksinuar do të marrin rivaksinim ndërsa gjithashtu të gjithë ata që kanë aplikuar dhe nuk kanë marrë ende një ftesë do të vaksinohen dhe rivaksinohen”, deklaroi ai.

Ai gjithashtu shpjegoi se të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në Serbi kanë të drejtën e imunizimit.