Vetëm dy javë pas miratimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë, shtohen zërat e autoriteteve për shtyrjen e tij. Kryeministri Zoran Zaev nuk e kundërshton propozimin e fundit të Presidentit të shtetit Stevo Pendarovski për shtyrje të regjistrimit për një ose dy muaj, me qëllim të arritjes së konsensusit politik me opozitën, por gjithsesi kërkon që ai të realizohet.
E pash edhe propozimin e presidentit që regjistrimi të shtyhet për ndonjë muaj. Në rregull, unë jam gjithmonë i gatshëm dhe gjithçka vlen të mendohet. E dimë se verës nuk bëhet regjistrimi. Në shtator kemi fushatë kurse në tetori është periudhë zgjedhjesh. Të mendojmë për një muaj ose një muaj e gjysmë, të mbarojmë diku nga mesi i qershorit. Tashmë e shoh se opozita këtë e ka refuzuar, kështu që edhe një herë ftoj të jemi të përgjegjshëm dhe ta zbatojmë regjistrimin – tha Zoran Zaev, kryeministër.
Për dallim prej tij, partneri i koalicionit BDI-ja thotë se nuk ka arsye për shtyrje të procesit të regjistrimit.
Ligji tashmë është miratuar dhe si i tillë duhet respektuar. Askush nuk duhet të ketë drojë, nuk duhet të ketë frikë dhe nuk duhet ta paragjykojë këtë proces. Nuk ka arsye për shtyrje, nuk ka arsye për prolongim dhe asgjë nuk fitohet – deklaroi Arbër Ademi, BDI.
Për kreun e opozitës maqedonase Hristijan Mickoski, shtyrja prej një ose dy muajsh nuk është e pranueshme. Ai kërkon që regjistrimi të realizohet pas një viti ose tërësisht në formë elektronike. Për këtë qëllim, VMRO-DPMNE-ja filloi zyrtarisht në KSHZ procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve për shfuqizimin e ligjit të regjistrimit.
Nëse Stevo Pendarovski dëshironte të jetë mbi situatën dhe mendonte për shëndetin e qytetarëve dhe nuk dëshironte të bie dhe të zgjohet me brejtjen e ndërgjegjes se dikush e ka humbur jetën për shkak të dekretimit të ligjit të cilin pushteti e shtyu me forcë, kishte mundësinë të mos e bënte këtë. Apelojmë te Qeveria për logjikë dhe kujdes për shëndetin e qytetarëve dhe regjistrimi të shtyhet për në pranverën e vitit 2022 – u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i opozitës.
Për shtyrjen eventuale të regjistrimit do të duhej vendim politik dhe nismë e re në Kuvend, vlerëson kryeparlamentari Talat Xhaferi, në një intervistë për MIA-n. Por, sipas Xhaferit, nëse regjistrimi nuk do të realizohej as në muajt vijues, do të vijë deri të boshllëku dhe kaosi ligjor.
Një ditë më parë, Presidenti Stevo Pendarovski në intervistë për Tv 24, për të arritur një pajtueshmëri politike dhe për të përmbushur kërkesën e opozitës për mbrojtje nga virusi, propozoi shtyrje prej një ose dy muajsh të regjistrimit.
Nuk shoh asgjë të keqe, nëse kjo paraqet problem për një grup më të madh ose më të vogël të qytetarëve, që regjistrimi të shtyhet për një ose dy muaj. Nuk do të ishte fundi i botës. Këto kërkesa në fushën e shëndetësisë është shumë legjitime t’i adresojmë. Unë nuk them që të shtyhet për një vit ose për kushedi kur. Nëse është caktuar për në prill, nuk do të jetë problem të shtyhet për në maj ose në qershor. Unë përpiqem të ndërtoj një urë mes dy opsioneve më kundërthënëse politike të momentit – deklaroi Stevo Pendarovski, President.
Regjistrimi në terren, sipas ligjit në fuqi, duhet të zhvillohet nga data 1 deri 21 prill 2021. Regjistrimi në formë elektronike i diasporës duhet të fillojë nga data 1 mars.