Ndodhitë e fundit politike në vend, protestat e të premtes, regjistrimi, propozim ligji për shtetësi e një sërë ndodhish tjera, ngjallën sërish në vend një problem që dukej të jetë fshehur. Nacionalizmi dhe urrejtja e qytetarëve maqedonas ndaj shqiptarëve, sidomos e shprehur në rrjetet sociale pas protestës, po vë në dyshim edhe njëherë bashkëjetesën mes dy popujve më të mëdhenj në vend. Kjo po ndodh në një periudhë kur shteti fqinj, Bullgaria po bllokon procesin integrues të vendit si pasojë e kundërshtimeve rreth historisë së përbashkët mes dy vendeve apo edhe për gjuhën. Të gjitha këto ndodhi, ashtu si edhe më herët gjatë qeverisjeve të kaluara, vëmendjen e kthejnë brenda për brenda vendit, tek “beteja historike” se kush është autokton, kush është më i madh, më i civilizuar, më i vjetër, më shkelur, kush meriton të zhduket e të ngjashme, shkruan in7.
Në rrjete socialeka filluar të shpërndahet një video e para disa viteve, intervistë e ish kryeministrit Ljubço Georgievski gjatë periudhës së fundit të qeverisjes së Gruevskit dhe krizës politike të asaj kohe. Si politikan mendjehapur, Georgievski gjithmonë ka guxuar në raport me shqiptarët. Ai çdoherë ka pranuar faktin se pa shqiptarët, Maqedonia nuk mund të ekzistojë si e tërë. Në këtë intervistë, ish kryeministri porosit maqedonasit e në veçanti politikanët maqedonas, që të mos i nënçmojnë shqiptarët as në numër e as për nga pesha politike. Ai që do ta bëjë këtë, sipas tij do të gabojë rëndë.
“Ai që dëshiron t’i nënçmojë shqiptarët, shoh këto mainstream mediat gjatë tërë kohës mundohen ta nënçmojnë numrin e shqiptarëve, rëndësinë e shqiptarëve. Pra, shqiptarët para 15 viteve nuk ishin për t’u nënçmuar e aq më pak sot, me Kosovën shtet të pavaraur, me Shqipërinë anëtare të NATO’s dhe me rritjen demografike të shqiptarëve brenda Maqedonisë. Çdo eksperiment që ne duam ta bëjmë pa pyetur shqiptarët, ne rrezikojmë ta shkatërrojmë shtetin brenda 24 orëve. Ne këtë nuk e kuptojmë”, ka thënë Ljubço Georgievski, ish kryeministër i vendit.
Ai shtoi më tej se, problemi në vend nuk janë vetëm shqiptarët, por edhe maqedonasit. Maqedonia ishte vend i izoluar në tërësi pa proces për integrime në NATO dhe BE. Sipas tij, nëse vazhdonte ajo krizë dhe ajo mënyrë e të kuptuarit të jetës politike, mund të sillte në një stad ku maqedonasit të copëtohen mes veti, shqiptarët mes veti apo edhe më keq, maqedonas me shqiptarë mes tyre.