Çfarë i ndodh trupit nëse hani vezë çdo ditë në mëngjes?

Disa rregulla në të ushqyer janë intuitive.

Përshembull, ju e dini që duhet të konsumoni perime çdo ditë ashtu siç e keni të qartë që duhet të shmangni ushqimet e shpejta dhe ato të skuqura. Pavarësisht kësaj, sërish kemi dilema të tipit: A bëj mirë nëse ha çdo ditë vezë?

Vezët janë mendimi i parë që na vijnë për një vakt mëngjesi. Përgatiten shpejt, s’kanë kosto, janë të shijshme dhe me vlera ushqyese, por si ndikojnë nëse konsumohen çdo ditë?

Në studime të kryera më herët, konsumi i shpeshtë i vezëve s’ishte dhe aq i këshillueshëm për shkak të kolesterolit natyral që përmban, por thellimi i kërkimeve i ndryshoi gjërat. Një studim i kryer në Harvard, arriti në përfundimin se njerëzit nuk kanë pse ia ndalojnë vetes një vakt që përmban vezë dhe se nuk ka asnjë lidhje mes tyre dhe problemeve kardiovaskulare.

Përkundrazi, një vezë në ditë mund të ndikojë për mirë në shëndetin e zemrës tek individët që gëzojnë shëndet të plotë. Nëse do të flasim në vija të përgjithshme, për aq kohë sa veza është pjesë e dietës suaj të shëndetshme (bashkë me një sallatë apo me një pjatë perime), mund ta konsumoni pa problem çdo ditë!