Pas përfundimit të karrierës së tyre ushtarake kur të mbushin 45 vjeç, ushtarët profesionistë do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë mjete financiare prej 1.000 eurove për çdo vit të kaluar gjatë shërbimit në Armatë, deklaroi Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.
Deri më tani, ata kishin mundësinë të vazhdonin të punonin në një institucion shtetëror dhe siç tha Shekerinska, ai opsion mbetet, por tani ata do të kenë mundësinë që të marrin edhe mjete financiare dhe të fillojnë biznesin e tyre ose iniciativë tjetër për zhvillimin e karrierës.
“Këtë vit kemi diku rreth 107 ushtarë të cilët do të bëhen 45 vjeç. Prej tyre, këto muaj derisa nuk hyn në fuqi ligji, do të vlejë vendimi i vjetër, megjithatë presim që definitivisht rreth 70 do ta kalojnë zgjedhjen. Tashmë e dimë se rreth 10 do të mbeten në Armatë si persona civilë. Një pjesë tani largohen në njësitë zjarrfikëse në Shkup, Kërçovë dhe Vallandovë, një pjesë do të transferohen në policinë gjyqësore, por një pjesë supozojmë se do ta zgjedhin këtë opsion dhe kjo do të kushtonte diku rreth 1 milion e 200 mijë euro në nivel vjetor”, tha Shekerinska.
Nga Ministria e Mbrojtjes thonë se për të realizuar të drejtën e mjeteve financiare, ushtarët profesionistë do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim në mes të vitit në të cilin ata mbushin 44 vjeç në mënyrë që të jenë në gjendje të planifikojnë me kohë fondet që duhet të alokohen për këtë qëllim.
Ky ndryshim i fundit është pjesë e Projektligjit për ndryshime në Ligjin për Shërbimin në Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili u miratua dje nga Qeveria dhe pritet të kalojë shpejt në Parlament.